Një djalë i moshës 12-vjeçare, i cili u dërgua drejt Qendrës Klinike Universitare pasi ishte alivanosur sot në Pishinën e Gërmisë, ka ndërruar jetë rreth orës 16:00 në Qendrën Emergjente në Prishtinë.
Rastin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar doktoresha e Klinikës Emergjente në QKUK, Nerxhivane Halimi.
“Vdekja është konfirmuar në orën 16:20”, ka thënë Halimi.
Sot rreth orës 15:00, drejtoresha e ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, Mirlinda Sopi-Krasniqi deklaroi se 12-vjeçari ishte reanimuar dhe i ishte kthyer pulsi nga mjekët në pishinë pasi “ishte gjetur pa shenja jete”. /Insajderi.com