Ka një muaj me aktakuzë por kryeministri thotë se ende pret “konfirmim” që ta shkarkoj ministrin serb

Ka një muaj me aktakuzë por kryeministri thotë se ende pret “konfirmim” që ta shkarkoj ministrin serb

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka ripërsëritur edhe sonte premtimin  e tij të dhënë se do të shkarkoj secilin zyrtar të të institucioneve të Kosovës që ka të ngritur aktakuzë nga prokuroria, por kjo nuk vlen edhe ministrin serb.

Edhe pse ka një muaj që ndaj ministrit për Komunitete dhe Kthim, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe, i është ngritur aktakuzë me 15 mars nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nën dyshimin se kreu veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, kryeministri tha në “Rubikon” se ende pret një konfirmim.

“Po presim konfirmim dhe do të merren masat siç janë marrë më herët”, ka thënë Mustafa,  për “Rubikon” në KTV, por pa e specifikuar se nga kush pret konfirmimin.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë me 15 mars të këtij viti ndaj ministrit serb.

Ministri Delibor Jevtiq, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, kishte nxjerr vendimin me të cilin i jepte në shfrytëzim të përhershëm të një automjeti zyrtar një kompanie private serbe në Kosovë, “përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë”.

Kryeministi kishte premtuar se nuk do të tolerojë askënd në kabinetin e tij ndaj të cilit është ngritur aktakuzë.

Në qeveri, një javë më parë, thonin se Dalibor Jevtiq do të shkarkohet nëse nuk e liron pozitën e ministrit. Zyrtarët qeveritarë nuk japin ndonjë datë se deri kur do ta presin ministrin të reflektojë./Insajderi.com