Kadri Rexhepi dhe Rrahim Hashimi që kërkonin para në emër të Veselit e Halitit mbesin në paraburgim për 1 muaj

Kadri Rexhepi dhe Rrahim Hashimi që kërkonin para në emër të Veselit e Halitit mbesin në paraburgim për 1 muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim sot që tu caktohet masa e paraburgimit prej 1 muajsh të dyshuarve për ryshfet, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, shkruan Insajderi.

Arrestimi dhe masa e paraburgimit për dy të dyshuarit vjen një javë pas raportimeve të Gazetës Insajderi, ku janë publikuar video dhe përgjime të cilat përfshijnë të dyshuarit në këtë krim.

Në videot e publikuara nga Insajderi, Rexhepi dhe Hashimi i marrin para Faton Dalladakut me arsyetimin për të ia dërguar Xhavit Halitit dhe Kadri Veseli. Sipas tyre këto para do të duheshin për ndërtimin e spitalit në afërsi të QKUK-së.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm,Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve RR.H dhe K.R për veprën penale Mashtrimi nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurve RR.H dhe K.R u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç.

Gjykata ka konstatuar se është përmbushur kriteri nga neni 187 paragrafi 1.1 dhe paragrafi 1.2, pika 1.2.1,1.2.2 dhe1.2.3 të KPRK-së, ngase ekziston rreziku i arratisjes se tyre, po ashtu ekzistojnë rrethana se të pandehurit mund të ndikojnë në dëshmitarë.

Gjykata ka vlerësuar se duke marr parasysh karakteristikat e tyre personale dhe sjelljet e tyre te mëhershme ekziston rreziku se të njëjtit mund të kryejnë vepra të njëjta apo të ngjashme penale.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim./ Insajderi.com