Kadri Veseli “harron” të korruptuarit, fut në kryesi Lushtakun, Reçicën dhe Halitin

Kadri Veseli “harron” të korruptuarit, fut në kryesi Lushtakun, Reçicën dhe Halitin

Sundimi i ligjit dhe largimi nga pozitat shtetërore i njerëzve që kanë probleme me ligjin, është një kartë me të cilën ka luajtur rëndom Kadri Veseli, në tentim për t’u distancuar nga njerëzit problematik të PDK-së.

Pavarësisht premtimeve, Veseli nuk është bërë pengesë për karrierën e këtyre njerëzve në partinë të cilën ai e udhëheq.

Lideri i PDK-së ka shfaqur qëndrime të njëjta në raport me këta njerëz, sikurse kishte bërë dikur edhe Hashim Thaçi. Ndonëse në qershor të vitit 2018 kishte premtuar pastrimin e partisë nga njerëzit e korruptuar, ish-kreu i SHIK-ut po vazhdon t’i mbajë në parti njerëzit që kanë shkaktuar skandale e kanë probleme me drejtësinë.

Të dielën, PDK ka zgjedhur Kryesinë e re në përbërje prej mbi njëzetë anëtarëve. Në mesin e këtyre emrave ndodhen edhe Sami Lushtaku, Xhavit Haliti dhe Elmi Reçica.

Të tre këta janë përfshirë në skandale në të kaluarën. Madje, disa prej tyre janë dënuar nga gjykatat.

Sami Lushtaku ishte protagonist i skandalit të përgjimeve. Në serinë e katërmbëdhjetë të “Dosjes së Shefave”, dëshmohet tentimi i Lushtakut për t’i bërë një vend të mirë në institucionet shtetërore paraardhësit të tij, Ramadan Gashit.

Lushtaku deri para disa muajsh u përball me drejtësinë në një proces të gjatë gjyqësor nën dyshimet për korrupsion, por në fund doli i pafajshëm.

Një skandal tjetër ku përmendej emri i Lushtakut ishte kërcënimi i kreut të gjykatës së tenderëve, Blerim Dinës, nga dy njerëz – njëri prej tyre Shaban Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut.

Pasi ishte kërcënuar në banesën e tij nga këta dy persona, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit i kishte rrëfyer rastin në një intervistë me Insajderin. Kishte thënë se Shaban Lushtaku dhe Naim Sallahu, dy njerëzit që e kishin kërcënuar, ia kishin përmendur Sami Lushtakun.

Pjesë e Kryesisë së re të PDK-së vazhdon të jetë edhe Elmi Reçica, ish-anëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës. Njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Kadri Veselit.

Një raport i shërbimeve mike të Kosovës pjesë e NATO-së, e ndërlidhnin atë me tregun e drogës në Kosovë.

Ky raport, i publikuar kohë më parë nga “Koha Ditore,” e akuzonte SHIK-un për kontroll të tregut të drogës në Kosovë. Këto raporte në veçanti akuzojnë deputetin e PDK-së, Elmi Reçica.

NATO-ja ia kishte bërë një portret të gjerë bazuar në vëzhgim dhe përcjellje të gjatë Elmi Reçicës. Atë e cilësonte si njeri shumë të fuqishëm që kontrollon tregun e drogës.

Shumë i fuqishëm politikisht dhe brenda PDK-së vazhdon të jetë edhe Xhavit Haliti, i cili të dielën u rizgjodh anëtar i Kryesisë së PDK-së. Sikurse Lushtaku dhe Reçica, edhe Haliti është përfshirë në afera të dyshimta korruptive në të kalurën.

Gjatë vitit 2019, Haliti është përfshirë në aferën “fajdet” në të cilën, siç dëshmojnë disa videoinçizime që ka siguruar dhe publikuar Insajderi, përmendet edhe emri i ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Edhe pse nga bisedat në videon ku diskutohet për fajde theksohet se “Xhavit Haliti nuk ua kryer punën, por Kadri Veseli”, emri i Halitit përmendet disa herë.

Protagonisti në “Aferën e fajdeve”, Rrahim Hashimi, pretendon se ka takime të shpeshta me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin. Në videon e realizuar më 31 janar 2012, Rrahim Hashimi pretendon se pa kryetarin aktual të Kuvendit, Xhavit Haliti, “kjo punë nuk do të kryhej”. /Insajderi.com

Videoja ku mashtruesit Kadri Rexhepi e Rrahim Hashimi e përfshijnë Xhavit Halitin në fajde