Kadri Veseli interesohet për diasporën – ka një porosi për Albin Kurtin

Kadri Veseli interesohet për diasporën – ka një porosi për Albin Kurtin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka biseduar me ambasadorët e Kosovës në Gjermani, Zvicër, Austri e Francë për t’u interesuar për gjendjen e diasporës në këtë kohë pandemie.

Veseli përmes rrjetit social Facebook ka deklaruar se duhet të jemi mirënjohes ndaj vendeve pritëse për kujdesin që po tregojnë për bashkatdhetarët kosovarë, transmeton Insajderi.

“U gëzova kur më treguan se edhe bizneset e diasporës janë mobilizuar në solidaritet për të ofruar mbështetje për studentët e Kosovës të mbetur jashtë, prandaj me të vërtetë meritojnë të lavdërohen”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka njoftuar se qindra kosovarë kanë shprehur vullnetin të kthehen në Kosovë.

“Prandaj i bëj thirrje qeverisë në ikje të Kosovës, që sa më parë t’iu gjendet në ndihmë e të marri masa për riatdhesimin e të gjithë shtetasve tanë, të cilët janë bllokuar jashtë e duan të kthehen. Po ashtu, bëj thirrje që sa më shpejt të investohet për të zgjeruar kapacitetet e karantimit të qytetarëve tanë të cilët rikthehen në vendlindje”, ka përfunduar kryetari i PDK-së./Insajderi.com/