Korab Sejdiu mohon se do t’i bashkohet LDK-së apo VV-së

Korab Sejdiu mohon se do t’i bashkohet LDK-së apo VV-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka hedhur poshtë zërat për një aderim të mundshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas dorëheqjes së tij nga anëtarësia në Aleancën Kosova e Re.

Ish-anëtari i partisë së Behgjet Pacollit ka thënë se do të vazhdoj të qëndrojë si deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.

Ka thënë se ka raporte të mira me deputetët e LDK-së dhe VV-së, por të cilat nuk do ta shtyjnë atë që të marr vendim për t’iu bashkuar asnjërës nga këto grupe parlamentare.

“Mund të ketë pasur një keqkuptim sepse unë kam raporte të shkëlqyeshme edhe me deputetët e LDK-së dhe të Vetëvendosjes, dhe natyrisht për shkak të këtyre raporteve ka pasur aludime se do t’i bashkohem njërit ose tjetrit grup parlamentar, por prapë po e theksoj se do të qëndroj si deputet i pavarur në këtë kohë”, ka thënë Sejdiu për ‘Indeksonline’.

Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozicionet në AKR pas krijimit të koalicionit qeveritar PAN-AKR.

Sejdiu, i cili është me profesion jurist ka qenë vazhdimisht kundër këtij koalicioni. Ka thënë se PDK me çdo kusht duhet të dërgohet në opozitë. Aktualisht ai është i vetmi deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.