Kalon nga kombëtarja e Serbisë tek Kosova- vendimi i futbollistit “çmend” mediet serbe

Kalon nga kombëtarja e Serbisë tek Kosova- vendimi i futbollistit “çmend” mediet serbe

“E ka lënë Serbinë për shtetin e ashtuquajtur të Kosovës, përkundër premtimit për t’i qëndruar besnik Serbisë”. Kështu e ka vlerësuar opinioni në Serbi, raportimet se futbollisti shqiptar, Arton Zekaj, e ka lënë kombëtaren serbe për të kaluar tek kombëtarja kosovare.

“Arton Zekaj, një 19-vjeçar i lindur në Suboticë dhe si futbollist i rritur në Partizan, ka vendosur që ta lë Kombëtaren e Serbisë për ta përfaqësuar të ashtuquajturën Kosovë”, ka shkruar mediumi serb Alo.

Tutje, mediumi i sipërpërmendur serb i ka kujtuar disa nga deklaratat e futbollistit të Lille, i cili pritet t’i bashkohet grupmoshave U-21 të Kosovës, shkruan Zëri.

“Është përmendur se unë do të luaj për Kosovën në rast se nuk jam në planin A të Serbisë. Kjo është e pasaktë, nuk e bëj këtë”, citon ‘Alo.rs‘ fjalët e Zekajt.

Zekaj, i cili luan në Lille, ku është transferuar nga Sopoti, sipas mediumit serb kishte thënë se ‘do të donte që të luante për shtetin që e do më shumë’ dhe që në fund ‘braktisi’ Serbinë me ndihmën e FIFA-s.

Ndërkohë, në mediet kosovare është konfirmuar lajmi se Zekaj do të ketë të drejtë ta përfaqësojë Kosovën, madje edhe nëse nuk e merr lejen nga Serbia.