Kalon Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

Kalon Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas tentativës së 10-të, njofton Insajderi.

Me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ky projektligj ka arritur që me kuorum të mjaftueshëm të kalojë edhe nga leximi i dytë.

Ky projektligj kaloi në seancën e inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët kërkuan seancë të jashtëzakonshme për të premten e 4 dhjetorit, të cilët me disa kushte për Qeverinë njoftuan se do të votojnë pro Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Propozimet e PDK-së siç u njoftua nga partia, kanë për qellim të ndihmojnë punëtorët e sektorit privat dhe bizneset me mbi 400 milionë euro buxhet.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës tanimë ka propozuar katër masa konkrete, të cilat, nëse pranohen nga qeveria, partia që e drejton do ta votojë ligjin e rimëkëmbjes ekonomike.

Kryetari në detyrë Hoxhaj, ka thënë se PDK është e gatshme që qysh të premten të jetë pjesë e seancës ku do të mund të votohej pakoja e rimëkëmbjes ekonomike me masat e propozuara nga PDK.

Amandamentet e PDK-së janë: pakoja për qytetarët, punëtorët dhe bizneset e prekura nga pandemia të jetë mbi 400 milionë euro, pagesa për punëtorët që kanë humbur vendet e punës të jetë 300 euro për muaj, heqja e TVSH-së për lëndën e parë për ta mbështetur sektorin e prodhimit, si dhe të bëhet rimbursimi nga shteti i mjeteve prej 10 % nga Trusti për qytetarët që i kanë deri 10 mijë euro kursime.

Ky projektligj u miratua në lexim të parë më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, me 64 vota pro. /Insajderi.com