fbpx

Kamenicë, aksidentalisht plagos shokun me armë

Një plagosje aksidentale ka ndodhur sot rreth orës 17:30 në fshatin Bllatë të komunës së Kamenicës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari M.E. aksidentalisht ka plagosur me armë shokun e tij.

“Ekziston dyshimi i bazuar se sot në rrugën e fshatit Bllatë në Kamenicë, i dyshuari M.E., 24 vjeçar nga pakujdesia ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që derisa kishte qenë në veturë me shokun e tij, të dëmtuarin Q.S., 20 vjeçar duke provuar revolen e llojit ‘’Ekol’’, aksidentalisht ka shtënë brenda veturës, me ç’rast edhe e ka plagosur të dëmtuarin, i cili për shkak të lëndimeve trupore është dërguar për tretman mjekësor, në Spitalin Regjional në Gjilan dhe është jashtë rrezikut për jetë”, njofton Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari,  pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila edhe është sekuestruar nga Policia.

Në njoftim thuhet se i dyshuari për këtë rast është ndaluar.