Kamionët me mallra serbe kthehen në kufi

Kamionët me mallra serbe kthehen në kufi

Vendimi për rritjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës, ka bërë që kamionët me mallra nga këto dy shtete të kthehen prapa.

Vetëm dje që nga moment kur është marrë vendimi, e deri sot në mëngjes, Dogana ka bërë të ditur se ka pasur vetëm kthime të kamionëve.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për Gazetën Insajderi se kamionët që kanë qenë duke hyrë në terminal, pas marrjes së vendimit janë kthyer prapa.

Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë kthyer 17 maune.

“Deri tani janë kthyer 17 maune te cilat pas pranimit te informatës per taksen e re janë kthyer prapa”, ka thënë Stavileci.

Zëdhënësi i Doganës ka sqaruar edhe mënyrën se si duhet të paguhet kjo taksë.

Ai ka thënë se importuesi, në këtë rast biznesmenët nga Kosova, duhet ta paguajnë këtë taksë që është vendosur nga Qeveria e Kosovës.

“Realisht importuesi nuk ka qenë i gatshëm me pagu. Ai e porosit mallin i vjen secilit, por atij kur i dalin pagesat i dalin 10 mijë euro, 10 mijë pastaj taksa, plus TVSH-ja dhe bëhet shumë. Dhe dje kemi pasur vetëm kthime”, tha Stavileci.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ky vendim po zbatohet me përpikmëri nga Doganat.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës me 100 % për produktet importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në drejtim të Kosovës është duke u zbatuar plotësisht në të gjithë pikat doganore”, përfundoi Adriatik Stavileci për Insajderin.

Vendimi  i qeverisë ka bërë që në Beograd por edhe Sarajevë të ketë reagime të ashpra.

Ministrat e Tregtisë në këto dy shtete, kanë thënë se kjo do ta pengojë tregtinë e lirë. /Insajderi.com