Kampusi i Universitetit të Prishtinës në terr

Shkruan: Edina Avdiu

Kampusi i Universitetit të Prishtinës në terr

Studentët e Universitetit të Prishtinës ballafaqohen me rreqize në hapësirat përreth fakulteteve për shkak të mungesës së ndriçimit. Si shkak i kësaj problematike aty shpesh studentët janë përballur me sulme dhe vjedhje të gjësendeve të tyre.

Studentët dhe profesorët tregojnë se sa të pasigurt ndihen derisa kalojnë mbrëmjeve nëpër hapësirat e universitetit.

Urall Boshnjaku, student në Fakultetin e Filologjisë ka thënë për Insajderin se kur kanë ligjërata në orët e vona nuk u mbetet zgjidhje tjetër përveç endjes me telefona në dorë për të ndriçuar sado pak rrugën nëpër të cilën kalojnë.

“Objekti i Universitetit të Prishtinës dhe Kampusi Universitar nuk janë në pozitë shumë të favorshme, dhe kushtet që ky ambient ofron janë të mjerueshme. Është me të vërtetë qesharake që në shekullin 21 një nga institucionet më të larta të arsimit në vend të ketë probleme me ndriçimin publik në vend se të merremi me probleme shumë më thelbësore të Universitetit”, tha Boshnjaku.

Sipas tij, përvec ndriçimit një problem tjetër mjaft shqetësues është edhe fakti se hapësira e kampusit universitar pjesën më të madhe të kohës është e ngulfatur me veturat e parkuara aty. 

Milazim Krasniqi, profesor në Fakultetin Filologjik të UP-së thotë se kampusi universitar paraqet një ambient të rrezikshëm për studentët dhe mësimdhënësit. 

“Kampusi Universitar është në gjendje përgjithësisht të mjerueshme, edhe sa i përket ndriçimit edhe sa i përket faktit që është shëndrru më shumë në parking të qytetit se sa në një kampus universitar. Mungesa e ndriçimit natën paraqet bezdi për të gjithë ne por edhe rrezik, sepse shumëherë në këtë kampus ka edhe qenë endacakë, pastaj flitet se këtej pari sillen vërdallë edhe narkomanë të ndryshëm , ashtu që e tëra kjo paraqet rrezik potencial për studentët dhe mësimdhënësit që mbajnë leksione në orët e vona. Kështu si është tash sa vite, duhet të presësh të kalojë ndonjë veturë, që të shohësh se ku po e hedh këmbën”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër Adonis Tahiri, zyrtar për komunikim në komunën e Prishtinës në një deklaratë për Insajderin ka thënë se ndriçimi i kampusit universitar pritet të rregullohet gjatë këtij viti.

“Në një pjesë të konsiderueshme të kampusit universitar është shtrirë rrjeti i ndriçimit publik me kontratën e vitit paraprak, kurse pjesa tjetër përfshihet në kontratën e vitit 2019. Pra, sivjet do të zgjerohet rrjeti i ndriçimit publik edhe në hapësirat e mbetura brenda kampusit”, ka thënë Tahiri.

Ai shtoi se kjo hapësirë do të rregullohet pasi që të ndërtohet parkingu nëntokësorë të cilën komuna e Prishtinës ka në plan ta përfundoj brenda 18 muajsh.

Partneriteti Publiko-Privat i ka disa faza nëpër të cilat duhet të kalohet, siç janë: parakualifikimi – që i përzgjedhë kompanitë që kanë kapacitet financiar dhe operativ për të realizuar punimet; konkurrimi me projekt; dhe përzgjedhja e ofertuesit më të suksesshëm. Secila prej këtyre fazave e ka afatin e caktuar kohor.

Nga dita kur të fillojnë punimet për ndërtimin e parkingut, kompania ka afat 18 muaj për ta realizuar projektin”, ka thënë Tahiri. /Insajderi.com