Kandidat për doktoratë, profesor, juristë – ky është shkollimi i kandidatëve për kryeministër

Kandidat për doktoratë, profesor, juristë – ky është shkollimi i kandidatëve për kryeministër

Në mesin e gjashtë kandidatëve që synojnë postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Vjosa Osmani nga LDK-ja është kandidatja që ka përfunduar më së shumti nivele të shkollimit.

Osmani e cila synon të bëhet shefe e Qeverisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, studimet themelore i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studimet master dhe doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Pitsburgut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kandidat për doktoraturë është kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili kanditon për shef të ekzekutivit.

Ai ka përfunduar studimet e edukimit në Fakultetin e Agrikulturës dhe Shkollën Pedagogjike në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Fatmir Limaj i nominuar për të garuar për postin e kryeministrit nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, ka përfunduar Fakultetin Juridik në bachelor dhe master në Universitetin e Prishtinës.

Drejtësinë e ka studiuar edhe kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate. Ai ndoqi degën e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës. Haradinaj ka përfunduar master në shkencat e shërbimit menaxhues, Rochester Institute of Technology në ShBA.

Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, në vitin 2003 ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.

Shkollimi dhe mosha e kandidatëve për kryeministër, për njohësin e çështjeve politike, Ramush Tahiri, janë faktorë të rëndësishëm, pasi sipas tij, ata duhet të jenë të gatshëm të përballen me shumë përgjegjësi që i bartë pozita e kryeministrit.

“Shkollimi i kandidatëve për kryeministër është i rëndësishëm ashtu siç është i rëndësishëm për çdo njeri tjetër. Shkollimi më i lartë nënkupton dije më të madhe, nënkupton që mundesh të përballesh me sfidat… Edhe shkollimi edhe mosha ndikojnë për të mirë te një kandidat. Pra shkollimi më i lartë e mosha më e re, kuptohet jo shumë e re”, tha për RTV Dukagjinin, Ramush Tahiri.

Kandidaturë për kryeministër ka shpallur edhe Milaim Zeka, me partinë e tij të sapoformuar Partia Euroatlantike e Kosovës.

Zeka ka përfunduar studimet master.