Kandidatët për zëvendësimin e De Biasit

Kandidatët për zëvendësimin e De Biasit

Kandidati i parë për të marrë postin e Gianni de Biasit, Paolo Tramexani ka shuar këtë të enjte çdo diskutim, duke firmosur për 3 vitet e ardhshme me skuadrën zvicerane të Sionit.

Megjithatë, mesa duket kjo nuk ndryshon asgjë në alternativat e Presidentit Armand Duka, edhe pse ai e kishte konsideruar ish-ndihmësin e De Biasit si të përshtatshëm.

Largimi i menjëhershëm i trajnerit të përfaqësueses shqiptare, Gianni de Biasi ka shndërruar skuadrën kuqezi në “pre” të lakmuara në këtë prag merkatoje, ku fillon jo vetëm valsi i lojtarëve, por edhe i trajnerëve.

“Kanë mjaftuar 24 orë nga zyrtarizimi i shkëputjes së marrëdhënieve dhe kanë qenë dhjetëra, apo qindra mesazhe që më kanë mbushur telefonin”, konfirmon për Top Channel Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Ky është një moment shumë i rëndësishëm i sezonit “kuqezi”, duke qenë se skuadra gjendet brenda objektivit, vendit të tretë në grup, por nga ana tjetër kërkohet edhe përgatitja e eliminatoreve të ardhshme të Evropianit të 2020-s, ku mund të kemi mundësi dhe objektiva të ndryshme, në varësi të kundërshtarëve.

“Personalisht po kërkoj një trajner italian”, shton më pas Presidenti i Federatës, i nisur edhe nga përvoja pozitive, por edhe karakteristikat e përshtatshëm të ekipit tonë, pa yje, por grup.

Në ketë mënyrë, Presidenti i FSHF-së i mbetet edhe një herë besnik idesë së tij, që nga koha kur ka ardhur në krye të futbollit shqiptar, se për përfaqësuesen është më mirë të kemi një trajner të huaj, me më shumë eksperiencë evropiane.

Në këtë mënyrë, ai thekson se nuk po u mbyll dyert trajnerëve shqiptarë, por eksperiencat ndërkombëtare të trajnerëve të huaj kanë dhënë gjithmonë diçka plus.

Megjithatë, për momentin asgjë serioze sa u përket kandidaturave të mbërritura dhe bisedimeve, telenovela e trajnerit të ri të Kombëtares, sapo ka filluar.