Kandidati i LDK-së për Prishtinën: Jam apartiak, kryeqytetit i duhet menaxhim i mirëfilltë

Kandidati i LDK-së për Prishtinën: Jam apartiak, kryeqytetit i duhet menaxhim i mirëfilltë

Arkitekti, Përparim Rama, i cili ditë më parë u prezantua nga Lumir Abdixhiku si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, ka folur për vendimin e tij që t’i hyjë garës për të parin e kryeqytetit, shkruan Insajderi.

Rama ndonëse është duke garuar nën petkun e LDK-së, ka thënë së është apartiak dhe se punën e kryetarit të komunës e sheh më shumë si menaxhim.

“Nuk mendoj që gara për kryetar të Prishtinës është politike, më shumë është menaxhim i strukturave të kryeqytetit, është një projekt, një proces i cili duhet të menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Unë jam apartiak dhe nuk kam qenë kurrë politik, politika është sekondare, mirëpo menaxhimi është primar. Si arkitekt menaxhoj projekte gjatë gjithë kohës”, ka treguar Rama në ‘Rubikon’ të KK-së.

Ai me tej ka deklaruar se “Prishtina ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e tij personal e profesional”.

“Prishtinën e dua me shpirt se jam prej këtij vendi dhe ma ka dhënë bazën të jem ai që jam, këtu i kam mësuar gjërat fillestare, nga familja, nga shkolla nga miqtë. Si ekzekutiv i kompanive të mija menaxhoj kompanitë, njerëzit, proceset prej fillimit, prej ideve deri te zbatimi i tyre. Kështu që e shoh edhe zhvillimin e Prishtinës si menaxhim, duhet të menaxhohet, të jetë një menaxhim i mirëfilltë me vizion të mirëfilltë për të mirën e qytetarëve të Prishtinës”, ka shtuar ai./Insajderi.com