Kandidati i PDK-së akuzon LVV-në për vjedhje votash në Gjilan

Kandidati i PDK-së akuzon LVV-në për vjedhje votash në Gjilan

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Bujar Cakolli, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për vjedhje votash në Komunën e Gjilanit, njofton Insajderi.

Cakolli në profilin e tij në Facebook ka publikuar një tabelë në të cilën shihet ndryshimi i votave në numrim dhe pas rinumrimit për pesë kandidatë të VV-së.

Ai është shprehur se “eksponentët e lartë të VV-së i kanë manipuluar komisionerët duke i shumëfishuar votat e tyre”.

“Vjedhje industriale të votës paska pasur edhe në mesin e ‘engjujve’ të VV-së. Në vendvotimin 0401X/14 në Gjilan, pas rinumërimit po del se eksponent të lartë VV-së kanë manipuluar komisionerët duke shumëfishuar votat e tyre”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ai tutje ka kërkuar rinumërimin e votave.

“Shikoni tabelën më poshtë dhe bindeni se s’ka rrugë tjetër përpos RINUMËRIMIT”.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe në bazë të rezultateve përfundimtare Vetëvendosje është partia fituese, më pas PDK në vendin e dytë dhe LDK në vendin e tretë/Insajderi.com