Kandidaturat për president vështirësojnë arritjen e koalicioneve paszgjedhore

Kandidaturat për president vështirësojnë arritjen e koalicioneve paszgjedhore

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se sjellja e partive politike për postin e presidentit është edhe jo etike, duke shtuar se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të mund të anashkalonte kriza politike dhe institucionale me të cilat jo rrallëherë është përballur Kosova, transmeton Insajderi.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, thotë se kjo do të vështirësojë edhe më shumë arritjen e koalicioneve qeveritare.

“Kësaj radhe është pak më specifike sepse në të njëjtën kohë kërkohet nga Kuvendi të zgjedhë edhe qeverinë edhe presidentin dhe, kjo i ka mobilizuar partitë politike që të dalin edhe me kandidatët e tyre për president. Mirëpo, kjo do të ketë efekt negativ për shkak se presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, por zgjidhet nga Kuvendi dhe e dyta, do të vështirësojë arritjen e koalicioneve qeveritare, për shkak se partitë politike do ta kenë si barrierë kur të negociojnë për shkak se do të insistojnë që kandidatët e tyre të jenë për president. Kështu, në situata kur ne zakonisht kemi ngërçe institucionale në themelimin e qeverisë, kësaj radhe mund të jenë edhe më të shprehura”, tha Kransiqi.

Edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se posti i presidentit nuk duhet të vihet në shërbim të një partie. Sipas saj, presidenti nuk mund të përfaqësojë një parti politike, duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve.

“E dimë që procedura për tu bërë president, është e përcaktuar me Kushtetutë, që duhet të paktën të ketë mbështetjen e 40 deputetëve në Kuvend, për tu kandiduar dhe më pas të ketë një kuorum prej 80 deputetësh në Kuvend për të marrë votën pro ose kundër për tu bërë president. Ne kemi parë në të kaluarën edhe president të cilët kanë qenë partiak, apo edhe presidenten Jahjaga që nuk ka pasur një afrim partiak. Ajo që mbetet e qartë është që çdo person që të nesërmen do të jetë president i vendit, duhet ta dijë që duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, të të gjitha partive politike dhe, nuk mund ta përfaqësoj një parti politike të veçantë”, thotë ajo.

Se kandidatura e Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit për postin e Presidentit është jo etike e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija.

Sipas tij, po bëhet pazar nga ata njerëz që dikur kanë thënë se çështja e presidentit është vullnet i deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës.

“Sjellja e subjekteve politike, aq më shumë e dy pretendentëve, sa jo etike është edhe një lloj risie në skenën politike të Kosovës, duke marrë parasysh që sistemi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë varet prej Parlamentit, rrjedhimisht prej deputetëve që i fitojnë ato mandate, dhe pastaj është në vullnetin e atyre deputetëve që të votojnë dhe ta zgjedhin një president. Duket që kandidimi i z. Haradinaj për postin e presidentit dhe moskandidimi i tij ose heqja dorë prej pozitës së kryeministrit duket që është një taktikë e AAK-së që në njërën anë të arrijë të forcojë figurën e z. Haradinaj si lider, të mos matet në aspektin e garës për kryeministër e njëkohësisht të arrijë të fitojë sa më shumë vota duke u thirrur në emër të një kandidature për president. Në anën tjetër e kemi u.d. së presidentit, z. Vjosa, e cila po tenton që jashtë deklarimeve të saj, gjithmonë që çështja e zgjedhjes së presidentit i takon një legjislature të re që do të vije.”, thotë ai. /Insajderi.com