Kandiq thotë se Odaloviq nuk ka vend në komisionin për të zhdukurit

Kandiq thotë se Odaloviq nuk ka vend në komisionin për të zhdukurit

Ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, deklaroi të mërkurën se Vleko Odaloviq nuk duhet të udhëheqë Komisionin serb për Persona të Pagjetur, njofton Insajeri.

Ajo ka përmendur kryetarin e Komisionit për Personat e Zhdukur i Qeverisë së Kosovës, Ramë Manaj, që ka të zhdukur të birin, vëllain e të afërm të shumtë që nga viti 1999 duke thënë se në anën tjetër, Komisioni i Serbisë udhëhiqet nga dikush që s’ka kredibilitet moral.

“Veljko Odalović nuk ka kredibilitet moral për të udhëhequr Komisionin për Personat e Zhdukur. Ai është kuadri i SPS(Partisë Socialiste të Serbisë që është pasuese e Partisë së Milloshviqit). Familjet e viktimave duhet të propozojnë presidentin e atij Komisioni, një person që nuk është i kompromentuar nga nacionalizmi dhe korrupsioni”, ka shkruar ajo.

“Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në qeverinë e Kosovës është Ramë Manaj, djali 18-vjeçar i tij, Ylli, vëllau Smajl dhe disa familjarë janë parë së fundi më 4 prill 1999 në fshatin Kralan. Mbetjet e vëllaut të tij dhe 18 personave të tjerë të cilët u zhdukën në Kralan janë gjetur në Liqenin Perucac. 48 të tjerë janë në listën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të zhdukurit”, ka shkruar Kandiq në Twitter.

Se Odaloviq nuk duhet të jetë pjesë e këtij komisioni ishte edhe kërkesë e Qeverisë së Kosovës në takimin e së martës me palën serbe në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, tha se parashtroi katër kërkesa, e një ndër to ishte që Odaloviq të mos e udhëheqë më këtë komision duke thënë se ai në vitet 1997-1999 ishte ‘naçelnik i qarkut të Kosovës’ dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviq.

Në anën tjetër, Vleko Odaloviq është shprehur gatshëm që të tërhiqet nga kjo pozitë.

“Nuk kam asnjë problem, nëse jam një shqetësim, nuk jam dikush që nuk mund të ngrihem. Nëse kam një problem për të gjetur një trup, nëse jam një kusht, unë do të jem gati të tërhiqem”, ka deklaruar ai të martën./Insajderi.com