Kapja e 400 kilogramëve narkotikë në Lipjan – Sveçla pret në takim ekipet e tri shteteve

Kapja e 400 kilogramëve narkotikë në Lipjan – Sveçla pret në takim ekipet e tri shteteve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti, si dhe zyrtarët e tre shteteve që morën pjesë në operacionin e konfiskimit të rreth 400 kilogramëve substancave të dyshuara narkotike të llojit kokainë që u kapën dje, e hënë, në Lipjan, përcjell Insajderi.

Sipas njoftimit të ministrisë, pala italiane dhe ajo shqiptare, kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes tre vendeve, “që bashkërisht në koordinim ndalën korridorin e depërtimit të substancave narkotike”.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë e hapur për bashkëpunime ndërkombëtare të luftimit të çfarëdo krimi. Policia e Kosovës është e gatshme që të marr pjesë në secilin operacion. Ju garantoj se si Qeveri do të jemi të pa kompromis në luftimin e të gjitha krimeve, sepse vetëm kështu krijohet një klimë e mirëbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit”, ka potencuar ministri Sveçla, thuhet në komunikatën për medie.

Në fund, ministri Sveçla ka falënderuar ekipet që morën pjesë në këtë operacion, duke vlerësuar se bashkëpunimi i mirë mes tre shteteve ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme në luftimin e krimit transnacional./Insajderi.com