Karaxhiq paralajmëron ankesë për të cilën nuk ka të drejtë

Ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq ka apeluar të enjten vendimin e gjykatës së Kombeve të Bashkuara, përmes së cilit atij i është rritur dënimi bazuar në akuzat rreth krimeve të kryera gjatë luftës, transmeton AFP.

Karaxhiq paralajmëron ankesë për të cilën nuk ka të drejtë

Sipas statutit dhe rregullores së Mekanizimit Gjyqësor, trashëgimtarit të Trubunalit të Hagës, nuk ekziston e drejta për ushtrim të ankesës kundër vendimit të plotfuqishëm.

Gjyqtarët në Hagë tani duhet të vendosin nëse do të pranojnë sfidën e Karaxhiqit për dënimin e tij, meqë vendimi i 20 marsit ishte konsideruar si masa e fundit për këtë rast.

“Presidenti Radovan Karaxhiq apelon dënimin me burgim të përjetshëm ndaj tij”, është thënë në një dokument ligjor të publikuar nga avokati i tij, Peter Robinson.

Javën e kaluar, Gjykata e Hagës ka ndëshkuar Karaxhiqin me dënim të përjetshëm, ndonëse më 2016 ai ishte dënuar me 40 vjet burgim për masakrën e kryer në Srebrenicë dhe krimet e kryera gjatë luftës në Bosnjë në vitet 1990.

Më shumë se 100,000 persona janë vrarë dhe rreth 2.2 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë Luftës në Bosnjë në periudhën 1992-95./Insajderi.com.