Karikaturat për profetin Muhamed: BIK kërkon nga MPJ distancimin e ambasadorit të Kosovës në Francë

Karikaturat për profetin Muhamed: BIK kërkon nga MPJ distancimin e ambasadorit të Kosovës në Francë

Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës që të distancohet nga ambasadori i vendit tonë në Francë, Qëndrim Gashi.

Ky i fundit ka publikuar karikatura të Profetit Muhamed, që kanë qenë aktuale në shtetin francez e që rezultuan me një akt terrorist, ku ishte vrarë një mësues pasi iu kishte treguar nxënësve karikatura të Profetit Muhamed.

Në reagimin e Bashkësisë Islame konsiderohet si akt i papranueshëm veprimi i Gashit, pasi në botën islame fillon manifestimi për të kujtuar jetën dhe veprën e profetit të Islamit.

Po ashtu, BIK-u kundërshton vrasjen e mësuesit në Francë, njofton Insajderi.

“Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë. Populli ynë njeh për vlerë kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin, bashkëjetesën e harmoninë ndër fetare, që është shembull edhe për popujt e tjerë. Harmonia ndër fetare që ne kultivojmë me shekuj mund të jetë shembulli i mirë edhe për popujt dhe shoqëritë tjera. Këtë shembull të mirë e vlerë të kombit tonë do të duhej ta ndiqte edhe ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e jo të bëj të kundërtën, dhe me veprimet e tij ti kontribuoj mos durimit e urrejtjes me bazë fetare. Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare”, thuhet në reagimin e BIK-ut. /Insajderi.com