Gjersa ende vazhdon kriza mes Katarit dhe disa vendeve arabe, Katari ka filluar të përdorë korridore të reja ajrore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Katari fillon të përdorë korridore të reja ajrore

Gjersa ende vazhdon kriza mes Katarit dhe disa vendeve arabe, Katari ka filluar të përdorë korridore të reja ajrore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve të Katarit, QNA, presidenti i bordit drejtues të Aviacionit Civil të Katarit, Naser al Sebii, përmes një deklarate me shkrim ka theksuar se vendi i tij ka filluar të përdorë korridore të reja ajrore.

Sebii ka rikujtuar se Katari ka kërkuar nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civili (ICAO) të hap tërësisht korridorin ajror mbi shtetet që kanë bllokuar Katarin, duke shtuar se Katari ka filluar të përdorë shumë rrugë ajrore që ka kërkuar nga ICAO, përfshirë edhe Gjirin e Omanit, Gjirin Persik dhe Detin e Omanit.

Ai po ashtu ka shtuar se bordi drejtues i Aviacionit Civil të Katarit ka shqyrtuar rrugë të reja ajrore përmes ujërave territoriale ndërkombëtare dhe se edhe këto hapësira do të fillojë t’i përdorë së shpejti, pas miratimit të ICAO-s dhe të gjitha palëve.

Sebbi ka thënë se e kanë bindur ICAO-n të detyrojë shtetet që kanë vendosur bllokadë që ta respektojnë Marrëveshjen e Çikagos (Marrëveshja e Aviacionit Civil Ndërkombëtar) dhe se pranimi i korridoreve të reja ajrore është një sukses i madh për Katarin.

Ndryshe, Këshilli i ICAO-s mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme në Montreal të Kanadasë, pas ankesave të Katarit.

Sipas njoftimit nga Ministria e Transportit dhe Komunikimit e Katarit, ICAO u kishte bërë thirrje shteteve në fjalë ta respektojnë Marrëveshjen e Çikagos dhe të vazhdojnë bashkëpunimin për mbarëvajtjen e aviacionit civil.

“Shënuam progres duke i detyruar shtetet që kanë vendosur bllokadë ta respektojnë marrëveshjen”, ishte shprehur Xhasim al Saliti, ministri i Transportit dhe Komunikimit i Katarit.

Ai po ashtu kishte theksuar se shtetet në fjalë kishin bërë diskriminim duke i bllokuar hapësirën ajrore Katarit dhe në këtë mënyrë kanë shkelur Marrëveshjen e Çikagos.

Nga ana tjetër, para mbledhjes në Montreal, agjencia e lajmeve e Arabisë Saudite publikoi një lajm duke u bazuar në një deklaratë të Autoritetit të Aviacionit Civil të vendit, sipas të cilit katër shtetet që bllokuan Katarin kanë caktuar nëntë korridore të cilat Katari mund t’i përdorë në gjendje të jashtëzakonshme. Ndërkaq, Katari e përgënjeshtroi këtë deklaratë.

Ndryshe, kriza në rajonin e Gjirit filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetje të grupeve terroriste.”

Teksa Doha zyrtare i ka mohuar të gjitha akuzat, katër shtetet i kanë parashtruar Katarit një listë me 13 kërkesa, për të cilën Katari ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.