
Katër tifozë të Chelseas janë dënuar me burgim me kusht për aktet raciste të shfaqura në një stacion metroje të Parisit. Të pandehurit u gjykuan në Francë lidhur me incidentin e shkurtit 2015, para ndeshjes PSG-Chelsea, në Ligën e Kampioneve.
22-vjeçari Xhoshua Parsons dhe Xhejms Feirbrein, 25 vjeç, të cilët ishin në sallën e gjyqit, mohuan që veprimet e tyre të kishin prapavijë raciale. Riçard Barkli, një ish-polic 52-vjeçar dhe 27-vjeçari Uilliam Simpson u gjykuan në mungesë, shkruan Panorama.
Sipas mediave franceze, të katër të pandehurit u dënuan me nga gjashtë deri në 12 muaj burgim me kusht si dhe detyrohen ta dëmshpërblejnë viktimën me dhjetë mijë euro.
Klubi i Chelseas e dënoi incidentin dhe u ndaloi hyrjen në “Stamford Bridge” të katër të pandehurve, të cilët po ashtu nuk do të mund të futen në asnjë stadium futbolli në Britaninë e Madhe.