KDI publikon rekomandimet lidhur me të drejtat e punëtorëve në sektorin privat

Instituti Demokratik i Kosovës ka përpiluar një listë të rekomandimeve pas rritjes së numrit të vdekje të punëtorëve, kryesisht në sektorin e ndërtimit të lartë.

KDI publikon rekomandimet lidhur me të drejtat e punëtorëve në sektorin privat

Florent Spahija nga KDI ka theksuar se gati çdo muaj në Kosovë raportohet për raste të reja të humbjes së jetëve të punëtorëve, kryesisht në sektorin e ndërtimit të lartë.

Ai ka informuar se edhe në KDI gati çdo ditë pranohen thirrje nga qytetarët që ankohen për shkeljet e të drejtave të tyre në punë kryesisht në sektorin privat, por pa e përjashtuar as atë publik, i cili ka thënë se do të duhej të ishte shembull i respektimit të të drejtave të punëtorëve nga marrëdhënia e punës.

“Fenomeni i vdekjeve në vendin e punës ka shënuar rritje në vitet e fundit, për shkak të hovit në rritje të ndërtimeve në çdo pjesë të Kosovës dhe mundësisë për t’u punësuar në këtë sektor për shkak të kërkesës së sektorit për fuqi punëtore të pa kualifikuar. Shumë punëtorë inkuadrohen në sektorin e ndërtimit edhe përkundër kushteve jo të mira të punës dhe pasigurisë në punë që mbretëron tash e një kohë në këtë sektor sidomos”, ka thënë Spahija.

KDI ka përpiluar një listë të rekomandimeve lidhur me problematikën e diskriminimit të punëtorëve dhe mos respektimin e të drejtave të punëtorëve:

-Secili punëtor i pa kualifikuar që punon një profesion të zanatit, duhet të detyrohet që të kualifikohet dhe të merr certifikatën e kualifikimit nga Agjencia e Punësimit;
-Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Inspektoratin e Punës të punoi në harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian;
-Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës/Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes buxhetit të parasheh vazhdimisht rritjen e numrit të Inspektorëve të Punës dhe pagave të tyre;
-Inspektorati i Punës të rrit numrin e inspektimeve në terren;
-Inspektorati i Punës të vazhdoi me kampanja vetëdijësuese mbi të drejtat e punëtoreve dhe shkeljet e mundshme për punëdhënës dhe punëtor;
-Inspektorati i Punës duhet të ofroj mundësi që punëtorët të paraqesin ankesat e tyre në mënyrë anonime dhe ankesat e njëjta të merren parasysh.
-Inspektorati i Punës duhet të rrit nivelin e transparencës duke bërë publike në ueb faqe të gjitha vendimet që i merr;
-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me ndihmën e Odave Ekonomike duhet të krijoj mekanizmat që detyrojnë edhe kompanitë private të kenë organizime sindikale;
-Qeveria e Kosovës së bashku me Sindikatat e punëtorëve por edhe sektorin privat duhet ta përpilojnë kontratën kolektive dhe ta nënshkruajnë atë;
-Gjykatat duhet të përmbahen afateve ligjore dhe çështjet e punës duhet ti trajtojnë me efikasitet dhe prioritet.