KEDS dhe KESCO: Nuk përfitojmë asgjë nga taksa e RTK-së

KEDS dhe KESCO: Nuk përfitojmë asgjë nga taksa e RTK-së

KEDS dhe KESCO kanë sqaruar opinionin pasi kaloi në lexim të parë projektligji për RTK-në ku parashihet që taksa të inkasohet nga kompania.

KEDS dhe KESCO thonë se nuk dëshirojnë në asnjë rrethanë të interferojnë në punën dhe vendimet e deputetëve, por meqenëse është apostrofuar emri i kompanisë si përfituese nga ky projektligj, ata theksojnë se nuk kanë asnjë përfitim nga ajo taksë.

“Duke e ditur se KEDS dhe KESCO janë kompani të rregulluara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe ky institucion është i themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe i jep përgjegjësi këtij institucioni, kërkojmë nga të gjithë deputetët dhe partitë parlamentare që para se të dalin me konstatime se KEDS përfiton diçka nga kjo taksë, të marrin informacione nga ky institucion”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, çdo kompani e rregulluar, pra edhe KEDS dhe KESCO, i kanë të hyrat maksimale të lejuara, sikurse edhe fitimin e rregulluar, pra janë të përcaktuara strikt nga ZRRE.

“KEDS/KESCO sqaron për opinionin se janë të fokusuara vetëm në çështjet e energjisë elektrike, përkatësisht distribuimin dhe furnizimin me energji elektrike dhe në asnjë aktivitet tjetër që interferon operimet tona”, përfundon deklarata.