“Kelkos” me padi kërcënuese po tenton t’ua mbyllë gojën aktivistëve

“Kelkos” me padi kërcënuese po tenton t’ua mbyllë gojën aktivistëve

Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile ka mbajtur sot konferencë për media ku është bërë dorëzimi i përgjigjes në padinë e ngritur nga kompania “Kelkos” ndaj aktivistit Adriatik Gacaferi, njofton Insajderi.

Gacaferi është paditur vetëm se ka shkruar një status në llogarinë e tij në Facebook ku kishte treguar se si kompania “Kelkos” e ka futur të gjithë ujin në gypa e nuk ka lënë një pjesë edhe për florën dhe faunën, ashtu siç e parasheh edhe ligji.

Vetë aktivisti Gacaferi tha se kjo padi nuk do ta ndalë të ngre zërin për çdo parregullsi që hasë në ambient.

“Unë mendoj që padia ndaj meje nuk është thjesht një padi vetëm ndaj një aktivisti të mjedisit, por një tendencë që me i frikësu dhe me ua ndalë zërin të gjitha aktivistëve që protestojnë për krime mjedisore”, ka deklaruar ai.

Shpresa Loshaj, themeluese e organizatës “Pishtarët” e cila angazhohet për mbrojtjen e mjedisit, tha se kompania “Kelkos” dëshiron t’i frikësojë përmes këtyre padive.

“Është tronditëse se ‘Kelkosi’ ka zgjedhur taktika kërcënuese që janë të rrezikshme për demokraci. Nëse ‘Kelkosi’ dëshiron të jetë pjesë e komunitetit tonë, duhet që sa më parë të fillojë të fokusohet se si të përmbushë kriteret ligjore dhe marrëveshjen me komunë të Deçanit sepse me kërcënime kot e ka. Ne nuk do te ndalemi deri të arrijmë qëllimin tonë”, tha Loshaj.

Ndërkaq, avokatja Rina Kika tha se postimi në Facebook i Adriatikut është i mbrojtur brenda lirisë së shprehjes, që është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.

Mexhide Demolli-Nimani nga FOL tha se në këtë konferencë përfaqëson zërin e dhjetëra organizatave të shoqërisë civile të cilat i japin mbështetje Adriatikut dhe Shpresës në këtë rast.

Për këtë rast ka reaguar edhe gazetarja Jeta Xhara, ajo madje ka ardhur me një ide.

Ka thënë që statusin, për të cilin paditet aktivisti Gacaferi, duhet ta ri-shpërndajnë të gjithë në llogarinë e tyre në Facebook.

“Propozimi jem është me ja bo na krejt share statusit të Adriatikut që e ka qit vitin e kaluar, për me e pa Kelkosi e avokatët e tyne që ata mund padisin 1 ose 2 njerëz, por s’mund i varrosin faktet dhe të vërtetën. Adriatik Gacaferi & Shpresa Loshaj nuk jeni vet dhe faleminderit që na keni kallxu çka po ndodh me lumin e pragut të shtëpisë suaj”, ka shkruar Xharra.

Video e stories në Ekonomia Online.