Këmbëkryq në Odën e Marrëzisë

Qysh një deputete dhe një kryediplomat kosovar pa fije turpi proklamojnë odat si një “institucion” nga ku jepen premtime për një shtet demokratik, në të njëjtën kohë kur pikërisht në këto “institucione” proklamohet haptazi se gruaja është një shërbëtore e cila nëse përkthehet në gjuhën e zgjedhjeve është thjeshtë një votë, për burrin.

Këmbëkryq në Odën e Marrëzisë

Deputetja Ganimete Musliu, e cila vjen nga fshati Baks i Skenderajt e din shumë mirë që në odë, si femër, ajo ka pasur vetëm dy mundësi të hyjë: me e qu bukën deri te dera e odës ku djemtë më të rinj e kanë shtruar sofrën, ose nëse do të kishte pranuar të bëhej burrëneshë apo virgjëreshë e përbetuar.

Por, Ganja e di shumë mirë që në ato oda, si femër apo nëna e saj si grua, janë vetëm njerëz të cilët shërbejnë por nuk u takon të ulen e as të flasin.

oda1

Në odat shqiptare, mes tymit e djersës së burrave gjithmonë kanë mbretëruar “pleqnarët”. Aty janë diskutuar “çështje kombëtare” dhe janë marrë “iniciativa deri në çlirim të vendit”, por pa gratë.

Gratë veç kanë gatuar dhe kanë heshtur tradicionalisht. Dhe, normalisht janë fyer e nënçmuar si njerëz të paaftë për asgjë, përpos pjellorisë.

Megjithatë kohërat kanë ndryshuar, luftërat janë bërë, liria është fituar dhe bashkë me këtë edhe gratë kanë hyrë në parlament. Ani pse me një kuotë të caktuar prej 30 për qind, gratë kanë bërë vend në të gjitha institucionet. Njashtu edhe Ganja.

Por oda nuk ka ndryshuar. E Ganja këtë e di shumë mirë. Madje e shpërfaqë me krenari.

Një marrëzi e llojit të vet.

oda3

E obsesionuar pas demokracisë dhe partisë, Musliu nuk ngurron që me krenari të tregojë se është e vetmja femër e ulur në odat e Drenicës, aty ku bashkë me një partiak tjetër, kryediplomatin kosovar, Enver Hoxhaj, kanë shkuar të bëjnë fushatë politike.

“Drenica ka tradite!… unë isha e nderuar sot qe ti bashkëngjitëm ekipit te fitores ku u mirëpritem ne Odat e ngrohta te Drenasit”, shkruan Musliu në Facebook, teksa paraqet një seri të fotografive ku ajo është e ulur këmbëkryq në odat e Terstenikut dhe Verbovcit.

E gjendur përballë burrave të mençur e pleqnarë të Drenicës, të cilët natyrisht edhe ajo edhe Hoxhaj i shikojnë vetëm si vota dhe asgjë më shumë, Musliu sigurisht e di, që nga të gjithë në oda shihet si burrneshë.

Një term ky, që i jep të drejtë femrës vetëm kur pranon të bëhet burrë. Femra ka rëndësi vetëm kur bëhet burrneshë, sepse ndryshe është femër.

“Faleminderit që po i qëndroni besnik partisë vazhdojmë të gjithë së bashku! #PDK”, shkruan Musliu.

oda6

Ajo e quan këtë fitore, dhe normalisht e ka mendjen vetëm tek fitorja zgjedhore. Sepse po t’i interesonte fitorja e shoqërisë si një organ shoqëror i ndërtuar mbi bazën e barazisë gjinore, ajo nuk do të pranonte të bënte fushatë e të bisedonte për hallet e banorëve të Drenicës.

Asaj nuk i intereson të bisedojë me gratë e këtyre fshatrave. Ka mundur për shembull të pyes këta burra të mençur se ku i kanë gratë.

Pse gratë nuk janë në ato oda? Ku janë ato? Çfarë halle kanë ato? Sa prej tyre kanë pronë të regjistruar në emrin e tyre? Sa prej tyre gëzojnë të drejtat mbi pronën, edukimin dhe të ardhurat? Me çfarë dhune përballen ato nga këta burra pranë të cilëve Musliu qëndron krenare e ulur këmbëkryq? A janë edhe ato njerëz, apo votojnë qysh t’u thonë burrat?

Musliut nuk i interesojnë këto pyetje, dhe sa për sqarim si Musliu janë shumica e deputeteve dhe femrave që kanë sot pozita në shtet. Sepse Musliu dhe burrneshat e tjera të shtetit e dinë shumë mirë se gratë që nuk janë burrnesha do të votojnë ashtu sikurse u thonë burrat, prandaj edhe interesimi për to nuk ka rëndësi.

Marrëzi deri në pafundësi. Gërditshëm.

oda4

Po kaq gërditshëm është edhe fakti se krahas kësaj burrneshe është edhe një ministër i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Paramendojeni shteti i cili përfaqësohet nga një njeri i cili shkon e bënë fushatë parazgjedhore demokratike nëpër oda.

Ky person i cili e përfaqëson Kosovën si një vend demokratik ku të drejtat e grave janë të barabarta, ku shteti kinse lufton për më shumë të drejta për to, shkon dhe bënë fushatë dhe kërkon edhe një mandat të partisë së tij, duke injoruar krejtësisht gratë.

oda5

Hoxhajt kjo nuk i intereson si duket. Do të ishte mirë ta pyeste gruan e tij, profesoreshën, Remzije Shahini-Hoxha e cila prej njohjes personale që kam me të, e njoh si një grua e cila deklarohet si një feministe.

Cili është rrëfimi i Hoxhajt para bashkëshortes së tij, pasi ka bërë fushatë në Drenicë?

Me siguri nuk e ka asnjë rrëfim sepse s’ka si ta ketë. Nuk e ka takuar asnjë prej tyre.

Krejt historia e tij nga këto takime do të jenë ca llafe të kota të atyre burrave të pashkolluar nëpër ode, të cilët bien pre e mashtrimeve të këtyre politikanë me gojën plot demokraci e barazi gjinore.

Këmbëkryq në Marrëzinë e tyre. Në Turpin tonë.