Kërcënimi që Thaçi dhe Haradinaj të poshtërohen nga Serbia

Kërcënimi që Thaçi dhe Haradinaj të poshtërohen nga Serbia

Ramush Haradinaj apo Hashim Thaçi do të mund të ishin sot në vendin e ushtarit të FSK-së, Milosh Shoshiq, të arrestuar nga Serbia. Presidenti Thaçi iu ka shpëtuar arrestimeve deri më sot nga Serbia, por kryeministri Haradinaj është arrestuar dy herë me kërkesën e Serbisë.

Serbia së fundmi ka futur përsëri në listë të Interpolit Thaçin, Haradinajn dhe kosovarë të tjerë për arrestimin e tyre. Madje jo më larg se dje ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka kërcënuar me arrestimin e Haradinajt nëse futet në territorin e Serbisë.

“Është në fuqi urdhri për arrestimin e tij dhe gjithsesi që do të arrestohet nëse mund të kapet nga Policia”, kishte deklaruar ministri serb Stefanoviq.

Haradinaj ditë më parë ka paralajmëruar një vizitë në Luginën e Preshevës, por pa treguar se kur do të bëhet. Por  vetëm disa ditë pas kësaj deklarate të Haradinajt është arrestuar një ushtar i FSK-së, arsyet për të cilën nuk dihen ende.

Haradinaj me kërkesën e Serbisë ishte arrestuar nga autoritetet sllovene dhe ato franceze. Fillimisht ai ishte arrestuar nga autoritetet sllovene në vitin 2015. Haradinaj që kishte qenë një vizitë zyrtare në Berlin teksa po kthehej në Kosovë ishte arrestuar në aeroportin Lubjanës.

Dy vite më pas Haradinaj ishte arrestuar përsëri, nga urdhër arresti i lëshuar nga Serbia në vitin 2006. Kryeministri i sotëm ishte arrestuar më katër janar për të qëndruar atje afro katër muaj. Ku pas  ashtu si Sllovenia edhe Franca kishte vendosur ta refuzojë kërkesën e Serbisë për ekstradim të Haradinajt.

Përveç Haradinajt fat të njëjtë kishte pasur edhe ish-kryeministër i Kosovës, Agim Çeku, i cili ishte arrestuar disa herë, fillimisht në Hungari dhe më pastaj  në Sofje të Bullgarisë. Edhe arrestimi i tij ishte bërë me urdhër arrest.

Por jo vetëm liderët e shtetit kanë pasur të njëjtin fat. Me arrestim pas kërkesës së Serbisë është përballur edhe një qytetar i Kosovës, që jetonte prej vitesh në SHBA.

Ish-ushtari i UÇK-së dhe ish-polici i Kosovës, Bujar Bobani ishte tmerruar për gjashtë muaj nga autoritetet gjermane. Ai ishte arrestuar në vitin 2010 në Gjermani me fletëarrestin e lëshuar nga Serbia. Që nga ai vit, ai nuk ka vizituar asnjëherë më Kosovën për shkak të frikës se “tmerri” do t’i përsëritej.

Në ndërkohë edhe dy policë të Kosovës ishin turpëruar nga shteti serb kur ishin arrestuar. Të lidhur dhe të shtrirë në tokë policët kosovarë kishin përfunduar të arrestuar nga policia serbe gjashtë vjet më parë.

Po ashtu me arrestim nga Serbia dy vite më parë u përball edhe Nehat Thaçi i cili qëndroi në paraburgim në Serbi për një muaj. Ndërkohë që Serbia vazhdoi edhe sot arrestimin ndaj zyrtarëve të sigurisë së Kosovës. Ushtari i FSK-së i përkatësisë serbe, Milosh Shoshiq është arrestuar gjatë ditës së sotme dhe më pas është liruar pa u bërë e ditur asnjë arsyeje.

Lider të vendit, ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe qytetarë të tjerë të Kosovës rrezikojnë të arrestohen nga shteti serb pas kërcënimeve të vazhdueshme që bëhen nga ky shtet./Insajderi.com