Kërcënuesi i gazetarit dënohet me gjobë

Kërcënuesi i gazetarit dënohet me gjobë

Osman Hajdini zyrtari i MTI-së i cili e kërcënoi gazetarin Liridon Llapashticën është dënuar me gjobë sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një komunikatë, raporton Insajderi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me gjobë prej 500 euro ish-zyrtarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për shkak të një kërcënimi të bërë nga ai ndaj një gazetari në vitin 2014. Ish-gazetari, Liridon Llapashtica kishte pranuar një telefonatë më 14 shkurt 2014 nga ish-zyrtari i MTI-së, Osman Hajdini në lidhje me një artikull të botuar në gazetën “Zëri”, me ç’rast edhe ishte kanosur”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Ish-zyrtari e kishte kërcënuar Llapashticën duke i thënë se ‘pasi që ligji në Kosovë nuk funksionon, kemi me zgedh këtë me Kanun të Lekës, kam me ti dërgu njerëzit se ti qenke kryeneq’, thuhet ndër tjerash në njoftimin e AGK-së.

Gazetari Liridon Llapashtica ka quajtur vendimin e gjykatës qesharak duke shtuar se do të këshilloj në avokat për hapa të mëtejmë.

“Është qesharake vendimi që gjyqtarja morri, ku kërcënuesin e dënon me gjobë prej 500 euro. Çka len me kuptu kjo për kërcënuesit e tjerë ndaj gazetarëve apo mediave të ndryshme?! Sinqerisht kjo gjobë është motivuese për ata që po kërcënojnë e po shkepin edhe grushta ndaj gazetarëve”, ka shkruar Llapashtica në llogarinë e tij në Facebook.

Kërcënimi i gazetarit ka ardh pasi që kishte publikuar një “Nafta pa kontroll”, më 22 shkurt të vitit 2014. /Insajderi.com