Kërkesë për korrogjimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës

Kërkesë për korrogjimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës

Shkruan: Shkëmb Manaj

I nderuar Kryetar, z. Daci,

Këto ditë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka botuar Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të përmbledhur në dy numra.

Në këtë botim, përveç tjerash janë përfshirë personalitetet që kanë lënë gjurmë në të gjitha fushat e jetës dhe në historinë qindra vjeçare të Kosovës, shumica dërmuese e merituar, por jo të gjithë janë të merituar dhe jo të gjithë të merituarit janë përfshirë.

Unë jam i vetëdijshëm që sa herë që botohet Fjalori Enciklopedik i Kosovës, prapë se prapë nuk do të jetë i plotë sepse është e pamundëshme që të përfshihen të gjitha ngjarjet dhe personalitetet e shquara vendore dhe ndërkombëtare që kanë qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit historik të Kosovës.

Por, është e pafalshme që të shtrembërohen faktet historike të ngjarjeve, e sidmos të historisë se re të Kosovës, të cilën e kemi përjetuar si dhe në këtë fjalor Enciklopedik të përfshihen persona me veprimtari të dyshimtë, bile edhe me të kaluar kriminale ( të dënuar për krime nga Gjykata vendore dhe ndërkombëtare për vrasje ndërshqiptare dhe ndaj civilëve të pafajshëm) si dhe të anashkalohen personalitete të shquara të historisë moderne të Kosovës, me emrin e të cilave janë të vulosura procese historike të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, te të gjitha Lëvizjeve për çlirimin e Kosovës, por unë jam fokusuar sidomos të Levizja e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci të udhëhequr nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Unë dua të besoj që nuk është e qëllimshme mospërfshirja e personaliteteve politike, veprimtarëve politik të Lëvizjes demokratike gjithëpopullore të viteve ’90-ta të fund shekullit të kaluar, e cila në themelet e saj, ishte lëvizje politike e kombëtare me orientim propërendimor, duke marr parasysh faktin që shumica e anëtarëve të ASHAK-ut kanë qenë themelues dhe ideolog të kësaj Lëvizje. Prandaj, mendoj që ASHAK duhet të jetë Institucioni që në asnjë rast nuk ndahet nga këto vlera.

Në këtë Fjalor, po ashtu mungojnë edhe ushtarak të shquar, tani heronjë dhe dëshmorë të Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës, që kanë rënë në krye të detyrës në mbrojtje të Kosovës por edhe në kohën e shtetndërtimit.

Unë jam i vetëdijshem që koha e tanishme e funksionimit të institucioneve të Kosovës është në pikë kritike të qëndrimit dhe ecjes së shtetit të Kosovës, por dua të besoj që Ju, z. Kryetar dhe anëtaret e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, do të arrijnë të ruajnë kredibilitetin e institucionit me të lartë shkencorë, duke ndalur tendencat që politika ditore dhe grupet e caktuara ( me elemente edhe kriminale ) të dirigjojnë edhe proceset dhe botimet shkencore, si kjo e Enciklopedisë, për qëllime të ngushta familjare, politike-partiake si dhe ideologjike.

Në këtë Fjalor Enciklopedik mungojnë personalitete të shquara politike dhe ushtarake, Heronjë të Kosovës, të dekoruar me dekoratat me të larta shtetërore nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, të cilat personalitete janë vrarë, po filloj nga babai im Shaban Manaj, pastaj Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyqi, Fadil Vata, Ismet Rraci, Kolonel Tahir Zemaj, Agim Hajrizi, Idriz Rreci, Haki Ymeri, Nazmi Muzlijaj, Lumni Surdulli, Mentor Tolaj, Sabahate Tolaj, Mark Malota, Gjergj Sokoli, Isuf Haklaj, Bekim Kastrati, Besim Dajaku, etj.

Po ashtu, në këtë Fjalor Enciklopedik mungojnë emrat e shquar të personaliteteve që janë me ne dhe disa që nuk janë me në mesin tonë, si: Ish kryeministri Bajram Rexhepi, Profesor Ymer Muhaxheri, veprimtari i shquar Nezir Gashi, Fadil Ferati, Faruk Spahiu, Ahmet Rugova… etj.

Në këtë Enciklopedi nuk janë përfshirë as deputetet e Kuvendit të Kosovës që kanë shpallur në rrethana të jashtëzakonshme Deklaratën Kushtetutese të 2 Korrikut të vitit 1990, pastaj Kushtetutën e Republikës së Kosovës së 7 Shtatorit 1990 si dhe Legjislaturat e Kuvendit të Republikës së Kosovës të vitit 1992 dhe 1998 si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë shpallur Pavarësinë e Kosovës me 17 shkurt 2008, që konsiderohen akte themeltare juridike dhe politike të shtetndërtimit të Kosovës.

Të gjitha këto personalitete të shquara janë të njohura për publikun për kontributin e tyre të veçantë si dhe janë të njohur edhe për shumicën e anëtarëve të ASHAK, përfshirë kryeredaktorin e Fjalorit Enciklopedik.

Duke shpresuar që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të ruaj kredibilitetin e saj dhe do të rishikojë botimin e këtij Fjalori Enciklopedik, respektivisht ta korrigjojë atë, ju falënderoj për mirëkuptimin Tuaj.

Unë ende besoj fuqishëm se Akademia e jonë e Shkencave ka ruajtur vlerat e saj shkencore dhe humane, e cila e ka dalluar nga Akademitë e Shkencave të disa vendeve të rajonit.

Në përmbyllje të këtij reagimi, kërkojë nga ana Juaj z. Kryetar, që në pajtim me kompetencat Tuaja të kërkoni që të rishikohet botimi i këtij Fjalori Enciklopedik, ta korrigjoni atë dhe të përfshini edhe ngjarjet historike dhe personalitetet e merituara në këtë Fjalor Enciklopedik. Unë pres reagimin Tuaj dhe besoj në vendimmarrjen Tuaj !