Përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së kanë kërkuar nga deputet e Kuvendit të Kosovës që të themelojnë Komisionin hetues Parlamentar në mënyrë që të kuptohet e vërteta rreth gjendjes së përgjithshme në RTK e në veçanti asaj financiare.
Kjo kërkesë është bërë e ditur nga Kryetari i SPRTK-së, i cili së bashku anëtarët e kryesisë, Albana Murseli, Fiorda Domi dhe Milot Ibrani, janë takuar sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës me nënkryetaren e Kuvendit, Arbërie Nagavcin dhe nënkryetarin e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Valon Ramadanin.
“Në kuadër të këtij takimi sindikalistët shprehën shqetësimin e tyre rreth gjendjes me të cilën po përballet për tash e sa kohë Transmetuesi i vetëm Publik në vend, si pasojë e veprimeve të kundërligjshme, kontratave të dëmshme dhe pa mbulesë financiare, kushteve të rënda të punës etj”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, si veprim urgjent që duhet të ndërmarrë Kuvendi i Kosovës është zgjedhja e Bordit të ri të RTK-së, i cili është jashtë funksionit pasiqë shumicës së anëtarëve, shtatë prej tyre nga njëmbëdhjetë sa janë gjithsej, iu ka përfunduar mandati.
“Për më shumë se një vit, RTK është pa menaxhment funksional dhe me drejtor gjeneral i cili është zgjedhur nga Bordi i RTK-së pa e përmbushur kriterin e kuotës prej 2/3-ve, sa parashihet me ligjin e Transmetusit Publik”, thuhet më tej.
Përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së kërkuan nga deputetët që të themelojnë. Gjithashtu çështja e pronës dhe e financimit të pavarur duhet të marrin epilog nga ky legjislativ./Insajderi.com