Kërkohet ndalimi me ligj i ndëshkimit fizik të fëmijëve

Kërkohet ndalimi me ligj i ndëshkimit fizik të fëmijëve

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijës, që është sot, organizata të ndryshme përpiqen të sesnisbilizojnë opinionin lidhur me mbrojtjen e këtyre të drejtave,njofton srf.ch.

Kështu, grupacioni “Keine Gewalt gegen Kinder” (Jo dhunës kundër fëmijëve) ka kërkuar sot një ndalim ligjor të dënimeve fizike dhe dhunës psikike mbi fëmijët, transmeton albinfo.ch. Me këtë rast, grupi në fjalë ka themeluar edhe një shoqatë e cila lanson një peticion për të realizuar këtë kërkesë.

Ajo që kërkohet është e drejta që duhet të kenë fëmijët për edukim pa dhunë. Pastaj, grupi në fjalë kërkon që ndalimi i dënimeve fizike dhe i dhunës psikike (mbi fëmijët) të futet edhe në Ligjin e të Drejtës Civile.

Një kërkesë e radhës është marrja e masave që do të vepronin kundër pranimit ose tolerimit që ka shoqëria për dënimet fizike ndaj fëmijëve. Në këto masa do të bënin pjesë informatat mbi të drejtat e fëmijëve dhe këshillimet që do t`u ofroheshin prindërve të dhunshëm.