Kërkohet ndihmë edhe nga agjencitë turistike për ndalimin e azilkërkuesve

Kërkohet ndihmë edhe nga agjencitë turistike për ndalimin e azilkërkuesve

Rritja e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria është bërë problem për autoritetet në Shqipëri.

Për të shmangur këtë situatë, ata kanë nisur të marrin masat e duhura. Drejtoresha e Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, Aida Hajnaj, ka kërkuar ndihmën e agjencive turistike pasi thotë se kjo situatë mund të rrezikojë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Do të ishte e nevojshme që t’ua bëni të ditur shtetasve shqiptarë që paraqiten pranë agjencive tuaja, kushtet që duhen plotësuar për të kaluar kufirin dhe për të udhëtuar në vendet e zonës ‘Schengen’, shkruan në letrën e Hajnajt drejtuar Shoqatës shqiptare të Turizmit dhe zërit të biznesit të turizmit shqiptar.

Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe drejtori i Policisë, Haki Çako, që ka kërkuar verifikim të dokumentacionit ndaj shtetasve shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Top Channel raporton se që nga 1 gushti, policia u ka kundërshtuar të drejtën për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së rreth 55 qytetarëve nga Shqipëria.