Kërkohet paraburgim për personin që sulmoi një grua në market në Prishtinë

Kërkohet paraburgim për personin që sulmoi një grua në market në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit F.B., për shkak se dyshohet që ka kryer veprën penale “sulmi”, përcjell Shqip.com.

Përmes njoftimit, Prokuroria ka bërë të ditur se i akuzuari, më 24 tetor 2021, në një market në Prishtinë, dyshohet se ka sulmuar me grushte një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore.

Po ashtu, Prokuroria ka treguar se viktima ka pranuar trajtim mjekësor, teksa njofton se i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej  48 orësh.

“Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, pamjet ku shihet personi duke sulmuar viktimë në një market në Prishtinë janë publikuar mbrëmjen e së hënës në media.

Ai shihet në një market, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët .

Në pamjet e publikuara, i dyshuari fillon të ushtrojë dhunë fizike ndaj viktimës e cila po ashtu ishte duke blerë ushqim./Insajderi.com