Kërkohet paraburgim për tre policët e përfshirë në rastin “Karaçeva”

Kërkohet paraburgim për tre policët e përfshirë në rastin “Karaçeva”

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Lindje, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rastin “Karaçeva”, përcjell Insajderi.

N.S., N.K. dhe F.K. janë ndaluar gjatë së mërkurës.

Sipas kërkesës, dyshohet se të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë, gjatë muajit Dhjetor 2019, në zonën e fshatrave të brezit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprave penale, ashtu që personave të ndryshëm iu kanë mundësuar kontrabandimin e mallrave, të cilët kanë kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor.

“Të njëjtit dyshohet se kanë udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohë të kalojnë, ku me veprimet apo mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë të papërcaktuar. Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, nga neni 311 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për të cilën me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Mbrëmjen e 18 shtatorit 2020, Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, kanë ekzekutuar urdhërkontrolle në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, në rajonin e Prishtinës, si dhe lokacione të tjera të vendit.

Aty janë arrestuar disa të dyshuar, në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë, nën dyshimet për kontrabandë dhe bixhoz të paligjshëm./Insajderi.com