Kërkohet që në Komisionin për Shëndetësi të kthehet sektori i mirëqenies sociale

Kërkohet që në Komisionin për Shëndetësi të kthehet sektori i mirëqenies sociale

Deputetët e opozitës në Komisionin e Shëndetësisë kanë kërkuar që ky komision të merret edhe me aspektin e mirëqenies sociale, gjë me të cilën është marrë në legjislaturat e kaluara.

Këtë propozim e kanë mbështetur edhe deputetët e mazhorancës, derisa kryetarja e Komisionit për Shëndetësi tha se do bëjë shkresë zyrtare tek Kryesia e Kuvendit për të këtë çështje.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, pasi tregoi fushëveprimtarinë e këtij komisioni, propozoi që të ftohen për raportim disa nga përfaqësuesit shëndetësorë. I pari për raportim u propozua të jetë drejtori i Shërbimit Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi e më pas edhe udhëheqësit e Kujdesit Primar Shëndetësor dhe drejtorinë shëndetësor të burgjeve të Kosovës.

“Pres nga ju që ne si Komision të kemi qasje proaktive në muajin e parë dhe do propozoj fillimisht unë dhe më pas dhe ju që derisa të jemi në pritje të strategjisë legjislative brenda planit tanë në muajin e parë cilat janë prioritet e këtij komisioni. Unë propozoj që në takim të ftojmë drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi të vijë në Komision dhe të na jap një raport të hollësishëm sepse ashtu siç u diskutua rëndësia e vaksinave e pakontestueshme si mjeti kryesor në mbrojtje kundër pandemisë COVID-19. Por që ne jemi të interesuar që të dimë se cila është gjendja qoftë në QKUK qoftë nëpër spitalet regjionale dhe sa i përket gjendjes së punës por edhe të pacientëve si shkon trajtimi dhe gjitha pengesat që kanë shërbyesit shëndetësor”, theksoi ajo.

Pas këtij propozimi reagoi deputeti i PDK-së anëtar në këtë komision, Bekim Haxhiu, i cili kërkoi që në fushëveprimtarinë e këtij komision të bëhet kërkesë që të kthehet edhe mirëqenia sociale, në të kundërtën siç tha ai kjo çështje do mbetet pa u trajtuar.

Haxhiu madje kërkoi se si Komision i Shëndetësisë t’i propozohet Qeverisë ta rikthej ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Mendoj se si Komision e para punës duhet të diskutonim që të rikthehej edhe fushëveprimit por edhe emërimi i këtij komisioni mu për faktin se ky komision ka trajtuar ligjet të rëndësishme siç është ligji për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, ligji për të verbëritë, besoj edhe ligji për lehona dhe pushimin prindëror dhe nuk besoj që ka komision më kompetent parlamentar në Kuvend sesa ky qoftë monitorimin dhe zbatimin e atyre ligjeve që i kemi miratuar apo miratimin e ligjeve të reja, mendoj që qeveria seriozisht duhet të mendua dhe si komision me propozua ta rikthej ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale sepse qendrat sociale sot janë të shkapërderdhura dhe pa mbikëqyrje dhe sot as strehimoret e viktimave nuk dihet se nga kush do menaxhohen është një ngatërresë e madhe që është shkaktuar në zbatim”, tha ai.

Shemdesin Dreshaj anëtar i këtij komisioni nga radhët e AAK u pajtua që në fushëveprimtari të këtij komisioni të jetë pjesë edhe segmenti i mirëqenies sociale.

“Plotësisht pajtohem që për shkak të ngjashmërisë që ka puna dhe mirëqenia sociale me shëndetësinë që në kuadër të fushëveprimtarisë të këtij komisioni të futet edhe ky segment”, theksoi Dreshaj. /Insajderi.com