Kërkohet shfuqizimi i vendimit për mbylljen e tri shkollave në Drenas

Kërkohet shfuqizimi i vendimit për mbylljen e tri shkollave në Drenas

Kuvendi Komunal i Drenasit nesër mban seancën e jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës ku opozitarët kërkojnë shfuqizimin e vendimit të DKA-së për mbylljen e shkollave në Abri, Godancë dhe Gjergjicë, ku fëmijët tash e dy muaj kanë mbetur pa mësim.

Sipas Komunës së Drenasit, arsyeja për mbylljen e këtyre shkollave ka qenë se nuk ka pasur numër të mjaftueshëm të nxënësve e as mundësi buxhetore për të funksionuar këto shkolla.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka reaguar ndaj mbylljes së shkollave në komunën e Drenasit, duke e quajtur të pabazuar, të gabuar dhe veprim të padrejtë, transmeton kp.

Edhe prindërit e nxënësve të këtyre shkollave kanë shprehur shqetësimin dhe kanë kërkuar anulimin e vendimit.

MASHT-i ka paralajmëruar se do t’i dërgojë edhe zyrtarisht shkresë Komunës së Drenasit me shpresën se kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe nxënësit do të kthehen në shkolla.

“MASHT-i nga buxheti i vet nuk siguron mjete buxhetore për asnjë komunë, shkollë apo paralele, sepse secila komunë e ka të siguruar grantin qeveritar për arsim, i cili ndahet nga Ministria e Financave, andaj kërkesa e DKA-së për buxhet shtesë nga MASHT-i është joligjore”, pati deklaruar ministri Bytyqi.