Kërkojnë nga MKRS anulimin e zgjedhjeve në Komitetin Olimpik të Kosovës

Kërkojnë nga MKRS anulimin e zgjedhjeve në Komitetin Olimpik të Kosovës

Janë 12 delegatë nga 6 federata të licencuara, të cilat e kanë dorëzuar sot një kërkesë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), duke kërkuar anulimin e procesit zgjedhor dhe mbledhjes së Asamblesë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Kosovës të datës 21 dhjetor 2016.

Ata thonë se, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, kanë kërkuar nga MKRS-ja që të veprojë duke evituar pasigurinë juridike të krijuar me vendimet e fundit të KOK-ut.

“MKRS, sipas Ligjit për Sport, është i vetmi institucion i cili ua njeh subjektivitetin juridik, të drejtën e përdorimit të emrit, zotësinë e veprimit dhe të drejtën e funksionimit federatave të sportit. Dhe KOK-u si një OJQ, përpos që nuk e ka atë prerogativë, obligohet t’i zbatojë ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe njëkohësisht përbëhet vetëm nga federatat e licencuara nga MKRS”, thuhet në deklaratën e Durim Berishës, në cilësinë e përfaqësuesit të kërkesës.

Akti juridik, sipas tij, i nxjerrë nga organet e MKRS-së, mund të apelohet në Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS).

“Shpresojmë se nuk do të jetë e nevojshme të kërkojmë mbrojtjen e rendit juridik të Republikës së Kosovës diku tjetër!”, ka shtuar ai.

“Përfundimisht, Asambleja Zgjedhor në mbledhjen e datës 21.12.2016 ka cenuar edhe të drejtën Kushtetuese të delegatëve në Mjet efektiv juridik – pasi ajo si organ kompetent për të shqyrtuar ankesat e tyre, nuk ka përmbushur obligimet e saj ligjore. Kësisoj, delegatët kanë mbetur pa pranuar vendime përkatëse në ankesat e tyre, dhe në të njëjtën kohë nuk është dhënë përgjegjësi për dëmtimin e buxhetit të KOK-ut prej më shumë se 50.000,00 € (euro), shumë kjo që është huazuar nga buxheti i KOK-ut në kundërshtim të plotë me aktet juridike në fuqi”, thuhet ndër tjera në kërkesën drejtuar MKRS-së.

Prandaj, ata thonë se, duke u bazuar në gjendjen faktike dhe juridike të paraqitur, kërkojnë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport që, përmes organeve kompetente brenda saj, të veprojë në mbrojtje të ligjshmërisë dhe evitimin e pasigurisë juridike dhe të vërtetojë pavlefshmërinë absolute të procesit zgjedhor dhe punës së Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut.

Njëherësh ata kërkojnë që të obligohet Komitetit Olimpik i Kosovës që të përsërisë procesin zgjedhor në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Po ashtu, ata kërkojnë edhe që të gjitha vendimet e nxjerra në mbledhjen e Asamblesë Zgjedhore të 21.12.2016 të pezullohen sipas fuqisë ligjore deri në nxjerrjen e një akti juridik nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport./Insajderi.com

1

 

2

 

3

 

4

 

5