Flet autori i emisionit dokumentar “Gjahu në UÇK”, Leonard Kerquki

Kerquki: Kërcënimet orkestrohen nga njerëzit e përmendur në dokumentar

Në një intervistë me 5 pyetje, Kerquki thotë se këto kërcënime tregojnë paaftësinë e shoqërisë kosovare për tu përballë me këto krime dhe sesi komandantët e UÇK-së janë të gjendje të bëjnë gjithçka për të penguar fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

Kerquki: Kërcënimet orkestrohen nga njerëzit e përmendur në dokumentar

Autorit të emisionit dokumentar “Zona Express” që fundjavën që shkoi realizoi një dokumentar dy pjesësh të titulluar “Gjahu në UÇK” i është bërë një fotografi montazh në të cilën Leonard Kerqukit i janë dhënë tre plumba.

Kerquki që me këtë dokumentar ka bërë një hulumtim mbi vrasjet e serbëve në vitin 1998-1999 në Kosovë e që supozohen të jenë bërë në dijeni të krerëve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që sot mbajnë pozita kyçe në Kosovë, është kërcënuar edhe me vdekje.

Në një intervistë për Insajderin, Kerquki thotë se këto kërcënime tregojnë paaftësinë e shoqërisë kosovare për tu përballë me këto krime dhe sesi komandantët e UÇK-së janë të gjendje të bëjnë gjithçka për të penguar fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

Dhe se këto sulme ndaj tij janë të orkestruara pikërisht nga këta njerëz.

Çka tregojnë këto kërcënime ndaj teje si autor i dokumentarit në dy pjesë “Gjahu në UÇK”?

Kerquki: Sulmet tregojnë dy gjëra: Nën një: shoqëria kosovare nuk është e përgatitur për t’u ballafaquar me veprimet kriminale të disa njerëzve të cilët pas luftës, të veshur me uniforma të UÇK-së, kanë kryer krime ndaj popullatës civile. Nën dy: këto kërcënime tregojnë se komandantët e UÇK-së janë në gjendje të bëjnë gjithçka për ta penguar fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Pavarësisht se zyrtarisht, të njëjtit, kanë votuar pro themelimit të Dhomave të Specializuara në Kuvendin e Kosovës.

A mendoni se janë të orkestruara apo janë kërcënime që vijnë nga persona privat të cilët janë të indinjuar me këtë dokumentar?

Kerquki: Patjetër. Këto assesi nuk duhet interpretuar si veprime të njerëzve gjaknxehtë që trimërohen para kompjuterëve dhe apo telefonave të tyre. Janë pikërisht njerëzit ata që janë përmendur në dokumentarë që po i cytin përkrahësit e tyre për ta sulmuar Gazetën Express, mua dhe kolegët tjerë drejtues të mediumit.

A keni kontaktuar me organet e drejtësisë dhe a pritni që drejtësia ta kryej punën e saj për të gjetur kërcënuesit?

Kerquki: E kemi vënë në dijeni Prokurorinë dhe Policinë për çdo kërcënim. 

Sa ju trembin këto kërcënime?

Kerquki: Aspak. Por jam i shqetësuar, për shkak se familja ime e ka përjetuar këtë situatë shumë rëndë.

Pse mendoni që njerëzit ose grupe të ndryshme reagojnë në këtë formë ndaj të gjeturave në dokumentar?

Kerquki: Liderët politikë të Kosovës janë në gjendje ta çojnë vendin në trazira të reja vetëm e vetëm për të moslejuar formimin e Gjykatës Speciale. Për këtë jam bindur plotësisht këto dy javët e fundit. Mos të harrojmë, dokumentari flet vetëm për rastet që do të trajtohen në Tribunalin Special; pra ne i kemi renditur gjithë ato raste, kurse kundërshtarët e dokumentarit thonë se ‘ju po i injoroni krimet e serbëve ndaj shqiptarëve’. Pra, Hashim Thaçi dhe të tjerët nuk kanë votuar pro Gjykatës me pretendimin se ajo do t’i zbulojë ata që kryen masakra ndaj popullsisë civile shqiptare, por kanë votuar që ajo t’i hetojë dhe gjykojë ata që kryen krime ndaj civilëve serbë dhe kundërshtarëve politikë të Krahut të Luftës. Pra, ata nuk janë nervoz që ne e kemi “njollosur luftën”, por thjeshtë po mundohen ta shpëtojnë lëkurën e tyre nga Tribunali. Edhe njëherë; lufta e drejtë e popullit të Kosovës për liri nuk njolloset nëse gjykohen disa njerëz që kanë kryer krime ndaj popullsisë civile. Përkundrazi./Insajderi.com