Kerquki: PAN i ka gjetur dy deputetët që i mungojnë për ta bërë qeverinë

Kerquki: PAN i ka gjetur dy deputetët që i mungojnë për ta bërë qeverinë

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit është koalicioni PAN që do të ketë 39 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Por a do të mundet ky koalicion të krijojë Qeverinë e re të Kosovës, me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër?

Sipas kryeredaktorit të Gazetës Express, Leonard Kerquki, PAN mund ta bëjë qeverinë.

Ai ka thënë se ky koalicion ka siguruar numrat e nevojshëm.

“Certifkimi ka treguar se PAN-i nuk mund ta bëjë Qeverinë se i mungojnë 2 deputetë, pos pakicave jo serbe”, ka thënë Kerquki në Klan Kosova.

“Ne e dimë se ata dy deputetë janë gjetur, janë të gatshëm, këta dy deputetë dihet se ku mund të jenë”, është shprehur ai.

Kerquki ka thënë po ashtu se në Kosovë, koalicionet paszgjedhore janë gjithmonë vështirë të arritshme.

“Koalicionet paszgjedhore nuk janë formuar me lehtësi në Kosovë. Dihet si është formuar Qeveria e vitit 2014, pas një tradhtie nga Haradinaj ndaj krahut të luftës, që hyri në koalicion me LDK-në”, ka thënë Kerquki.

“Tradicionalisht në Kosovë nuk janë bërë koalicioonet paszgjedhore me lehtësi, kjo edhe për shkak të sistemi zgjedhor në Kosovë, pasi jemi në një situatë ku pothuajse të gjitha partitë janë të barabarta”, ka theksuar ai.

Por, Kerquki është shprehur i bindur se PAN-i do ta formojë Qeverinë, me gjithë vështirësitë.

“E shoh me vështirësi por besoj se PAN-i do ta arrijë ta formojë Qeverinë, besoj se nuk do ta bëjë me aq lehtësi sa po pretendon zotëri Haradinaj”, ka thënë Kerquki.