Këshilli i Prindërve: Mësimi online jo i suksesshëm

Këshilli i Prindërve: Mësimi online jo i suksesshëm

Pas vendimit të marr nga Qeveria e Kosovës për vazhdimin e mësimit online nga distanca për institucionet parauniversitare, kryetari i Këshillit të Prindërve Ymret Reshiti, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të reflektoj rreth këtij vendimi, njofton Insajderi.

Reshiti në një intervistë për Telegrafin ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria janë të parakohshme, pasi siç tha ai situata e të infektuarve mund të ndryshoj në të mirë deri ditën e shtunë.

“Më datë 29 mars në takim me ministrin dhe akterët tjerë jemi pajtuar që t’i zëvendësojmë shtatë ditë nga pushimi dimëror dhe të pajtohemi për pushimin tre ditor pranverorë, prandaj kështu ashtu shkollat janë pushim dhe tash një vendim i qeverisë për tu mbyll arsimi ne e vlerësojmë që është i parakohshëm, për shkak se situata mund të evoluoj në të mirë ndoshta deri të shtunën. Është dashur Qeveria e Kosovës që ta pres ditën e shtunë dhe ta vlerësoj nëse duhet të mbyllet edhe arsimi apo jo”, ka thënë Reshiti.

Reshiti tha se presin që Qeveria të shtunën të ndryshoj vendimin, dhe më datë 11 prill të filloj mësimi fizik nëpër institucionet arsimore.

“Nga statistikat të cilat i disponoj arsimi nuk është në nivelin e tillë që duhet të mbyllet. Prandaj dhe apeli jonë është që kryeministri ta rishikoj vendimin deri të shtunën dhe nëse ka mundësi dhe kushte që të lejohet arsimi para universitar me prezencë fizike nga e hëna, 11 prill”, u shpreh ai.

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Reshiti po ashtu tha se mësimi online është i dështuar.

“Sa i përket arsimit online me kohë kemi treguar që ky mësim është i dështuar për shkak të faktorëve apo indikatorëve të cilat i kemi thënë. Për prindin është shumë e vështirë ky mësim, pasi kërkohet që prindi ta merr rolin e mësimdhënësit në shtëpi. Këtu është esenca e problemit që prindërit e kanë si shqetësim dhe problem nga distanca”, theksoi Reshiti./Insajderi.com