Këshilli i Sigurimit i OKB-së nesër diskuton raportin tremujor për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së nesër diskuton raportin tremujor për Kosovën

Këshilli i Sigurimit do të diskutojë nesër Raportin e rregullt për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Raporti i referohet periudhës nga 16 korriku deri më 15 tetor të vitit 2017.

Raportin në emër të sekretarit të përgjithshëm të KB në Këshillin e Sigurimit do ta prezantojë përfaqësuesi i tij special në Kosovë, Zahir Tanin, transmeton Koha.net.

Sipas raportit të publikuar, Antonio Guterres ka përsëritur vlerësimin për rëndësinë e dialogut midis Kosovës e Serbisë dhe ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 2013. Po ashtu theksohet rëndësia e ecjes përpara në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, për çka ka thënë se ai kërkon përkushtim të vendosur, duke mos harruar se zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara më 2013 shpesh është shtyrë.

“Marrëveshjet e arritura në nivelin më të lartë, si të vjetrat ashtu edhe të rejat, kanë kuptim vetëm në kanë mbështetje në baza të gjera dhe me aksionin e të dy palëve”, thuhet në raportin e sekretarit të përgjithshëm të KB.

Sekretari i përgjithshëm OKB në raportin e tij tremujor që u prezantohet ambasadorëve në Këshillin e Sigurimit, po ashtu, ua tërheq vërejtjen liderëve të Kosovës që të kufizohen nga deklaratat e zjarrta rreth fillimit të punës së Gjykatës Speciale, e cila nën mbikëqyrjen e BE-së do të procedojë krimet që janë bërë gjatë luftës nga pjesëtarët e UÇK-së.

“U bëj thirrje liderëve politikë të Kosovës që të tregojnë pjekuri në deklaratat mbi Gjykatën Speciale, që përbën faktorin vendimtar për sigurimin e drejtësisë për viktimat e luftës së kaluar”, theksohet në raportin e shefit të OKB-së.

Ministria e Jashtme e Kosovës ende nuk e ka bërë të njohur se kush do të përfaqësojë vendin në këtë mbledhje. Më herët ka ekzistuar vendimi që në këto mbledhje Kosovën ta përfaqësojë ambasadorja në Uashington, Vlora Çitaku.

Serbinë në këtë mbledhje do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm i saj, Ivica Daçiq, bëjnë të ditur mediat e Beogradit.