Këshilltarët ndërkombëtarë i rekomanduan Qeverisë që t’ia paguante vetëm 14 milionë euro “Bechtel Enka-s”

Kompania "Hill International" i kishte sugjeruar qeverisë që t'ia paguante vetëm 14 milionë euro kompanisë "Bechtel Enka" për zgjatjen e kontratës për përfundimin e projektit të autostradës "Arbën Xhaferi". Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj thotë se këtë vlerësim të kompanisë amerikane që e këshillon Qeverinë e Kosovës e ka kundërshtuar "Bechtel Enka".

Këshilltarët ndërkombëtarë i rekomanduan Qeverisë që t’ia paguante vetëm 14 milionë euro “Bechtel Enka-s”

Një vlerësim i kompanisë amerikane të menaxhimit të projekteve të ndërtimit të rrugëve “Hill International”, dërguar Qeverisë së Kosovës më 30 shtator të vitit 2016, sugjeronte se qeveria i obligohej vetëm 14 milionë euro kompanisë “Bechtel Enka” për zgjatjen e kontratës për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Në këtë opinion të kompanisë “Hill International”, e cila është këshilltare e Qeverisë së Kosovës në procesin e mbikëqyrjes së kontratës me “Bechtel Enka-n” për autostradën “Arbën Xhaferi”, këshillonte Qeverinë e Kosovës se për zgjatjen e kontratës mes qeverisë dhe kompanisë turko-amerikane deri më 31 dhjetor 2018, duhej t’i paguante vetëm nga një milion euro për çdo muaj kompanisë “Bechtel Enka” si kompensim për zgjatjen e kontratës.

Sipas vlerësimit të kompanisë që këshillon Qeverinë e Kosovës për projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, për përfundimin e projektit të autostradës “Arbën Xhaferi” nevojiteshin edhe 347 ditë. Shuma të cilën “Hill International” sugjeronte që t’ia paguante Qeveria kompanisë “Bechtel Enka” ishte saktësisht 14 milionë e 778 mijë e 654 euro.

“Sipas asaj që është shkruar më lart [në vlerësim, v.j], kostoja për zgjatjen e kontratës e parashikuar për 11 muaj dhe 13 ditë është e barabartë me 14,778,654 euro. Tabela e mëposhtme përmbledh atë që është shkruar më lart: Shpenzimet kapitale: 11,419,354 euro; Sigurimi: 1,104,928; TVSH: 2,254,371; Totali: 14,778,371”, shkruhet në vlerësimin e kompanisë “Hill International”, të dërguar Ministrisë së Infrastrukturës më 30 shtator të vitit 2016.

Në bazë të këtij vlerësimi të dhënë nga kompania “Hill International”, Qeveria e Kosovës kishte përpiluar një aneks-kontratë që parashihte zgjatjen e kontratës fillestare.

Këtë kontratë asnjëherë nuk kishte pranuar kompania “Bechtel Enka”, e cila kishte kërkuar 63 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Madje, “Bechtel Enka” kërcënonte se do ta dërgonte rastin në Gjykata ndërkombëtare. Kompania turko-amerikane ka kundërshtuar edhe vlerësimin e “Hill International”.

Ndonëse “Bechtel Enka” kishte kundërshtuar vlerësimin e kompanisë “Hill International”, Ministria e Infrastrukturës kishte përpiluar një aneks-kontratë në bazë të vlerësimit të “Hill International”, i cili sugjeronte atë që për zgjatjen e kontratës me “Bechtel Enka-n” duhej t’i paguante 14 milionë euro për përfundimin e autostradës.

Edhe këtë aneks-kontratë kishte refuzuar ta nënshkruante “Bechtel-Enka”, e cila insistonte që Qeveria e Kosovës i detyrohej më shumë për zgjatjen e kontratës për 11 muajt e ardhshëm.

E ministri aktual i Infrastrukturës, Pal Lekaj e ka fajësuar qeverinë e kaluar për keqmenaxhimin e kontratës me “Bechtel Enka-n”.

Sipas tij, nga viti 2014 deri 2017, nuk ia kishte paguar me rregull faturat vjetore kësaj kompanie dhe se për shkak të këtyre vonesave, është dashur të shtyhet afati për përfundimin e punimeve deri më 31 dhjetor të këtij viti, raporton Insajderi.

Në një debat televiziv me ish-ministrin Lutfi Zharku, të zhvilluar të mërkurën në televizionin T7, Lekaj i ka kërkuar sqarime Zharkut për mosnënshkrimin e kontratës të cilën e kishte përpiluar në bazë të këshillimit të kompanisë amerikane “Hill International”.

Ndërkaq, ish-ministri Zharku ka deklaruar se vlerësimi i kompanisë “Hill International” dhe aneks-kontrata të cilën kurrë nuk e kishin nënshkruar as Qeveria e Kosovës, e as “Bechtel Enka”, duhej të merren parasysh për të mos i ndarë 53 milionë euro kompanisë turko-amerikane.

Qeveria e Kosovës dhe “Bechtel Enka” kishin nënshkruar kontratë në vlerë prej 600 mijë eurosh për ndërtimin e autostradës “Abën Xhaferi” në vitin 2014 dhe ajo ishte paraparë të përfundonte më 18 janar të vitit 2018. Enjëjta kompani kishte fituar tenderin për autostradën e ndërtuar nga Morina në Merdare. /Insajderi.com