Këshilltari i Thaçit kritikon ashpër Qeverinë në detyrë për Pakon Fiskale Emergjente

Këshilltari i Thaçit kritikon ashpër Qeverinë në detyrë për Pakon Fiskale Emergjente

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçit, Adil Behramaj, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se pakoja Fiskale Emergjente e Qeverisë, jo vetëm që është shumë e mangët, por edhe shumë e vonuar, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas tij, ajo është më shumë sociale, se fiskale dhe biznesore. Ai po ashtu ka thënë se shumë vende pune rrezikojnë të humbasin dhe shumë biznese të falimentojnë.

“Bizneset pa fajin e tyre po përballen me këtë situatë dhe duhet të ndihmohen në këta muaj. Në të kundërtën, pasojat do të jenë shumë më të mëdha. Fokusi kryesor i Qeverisë është dashur të jetë i plotë në përkrahje të bizneseve, pa përjashtuar edhe kategoritë tjera, për të cilat si në kohë normale, ashtu edhe të pandemisë, nevojitet ndihmë”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera Behramaj, ka thënë se nuk është e mjaftueshme që punëtorët të paguhen 170 euro nga Qeveria, por për këta dy muaj është dashur të jetë një pagë mesatare prej 300 euro, ndërsa gjashtë muajt e ardhshëm të paguheshin me 50% të pagës deri sa bizneset të stabilizoheshin.

“Rritja e kapitalit nga 10.000 euro është aq e vogël saqë nuk çon peshë te bizneset dhe ato nuk do të jenë aspak të motivuara për t’i hyrë atyre procedurave shumë komplekse. Bizneseve më shumë u kushton procedura se shuma që mund ta marrin në formë kredie. Ato kanë nevojë urgjente për shtyrje të obligimeve që u grumbullohen si rezultat i mosoperimit”.

“Kanë nevojë që t’u jepet hapësirë, që pas fillimit të operimit ta rimarrin dalëngadalë veten deri në stabilizim të plotë, duke ua mundësuar që pagesën e obligimeve tatimore ta paguajnë përmes muajve të vitit, varësisht nga mundësitë financiare që ato kanë. Bizneset kanë nevojë edhe për shtyrje të TVSH-së në raste të importit për t’iu mundësuar që të kenë likuiditet, pa e ngarkuar buxhetin dhe biznesin. Kanë nevojë edhe për pagesë të qirasë së plotë 100%, duke ua zbritur atë nga tatimi në fitim”, ka thënë ai.

KËshilltari i presidentit, ka vazhduat tutje me akuza kundër qeverisë në detyrë, duke thënë se ajo nuk duhet të krijojë raste të reja sociale, siç ka paraparë me këtë Pako Fiskale Emergjente. Po ashtu, ai e ka quajtur të qëllimshme vonesën e fuqizimit të kësaj pakoje.

“Qeveria qëllimisht është duke u vonuar në fuqizimin e kësaj pakoje, për shkak të paaftësisë së saj, veçanërisht paaftësisë së Ministrit të Financave për ta strukturuar buxhetin. Nuk ka nevojë dhe nuk ka kurrfarë efekti marrja e këtyre masave me vendime administrative. Sepse, sipas gjitha gjasave, kjo çon drejt një shkelje të re ligjore nga ana e Qeverisë”.

“Qeveria do të duhej me urgjencë ta bënte Plotësim/Ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, si dhe Plotësim/Ndryshimin e Ligjit të Buxhetit për vitin 2020, për t’i paraparë këto masa aty. Nuk bëhen këto ndryshime me vendime administrative, përkundër që është e kuptueshme që Qeveria moniste tani nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për t’i kaluar si ligje në Kuvendin e Kosovës. Duke e ditur urgjencën për t’i ndihmuar sadopak bizneset, sa nuk është bërë tepër vonë, shumica parlamentare jam i bindur që do t’i votonte”.

“Mjerisht kjo e tregon paaftësinë e theksuar të Ministrit të Financave, i cili që nga marrja e mandatit deri në natën e votimit të buxhetit në emër të Gjendjes së Jashtëzakonshme, siç e quanin atë natë edhe vetë, të krijuar nga pandemia COVID-19, nuk i kishte paraparë këto masa në buxhetin e vitit 2020. Edhe e kishin kaluar buxhetin me shpejtësi në emër të pandemisë, edhe nuk kishin planifikuar buxhet për t’u përballur me pandeminë!”, përfundon shkrimi i Behramajt, në rrjetin social Facebook./ Insajderi.com