Kështu do të duket takimi i parë Kurti – Vuçiq, sipas Azem Vllasit

Kështu do të duket takimi i parë Kurti – Vuçiq, sipas Azem Vllasit

Takimi i parë ballë për ballë në tavolinë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk do të ketë asgjë të rëndësishme.

Kështu i ka thënë Gazetës Online Insajderi, avokati, Azem Vllasi, që parashikon se në bisedën e parë mes Kurtit e Vuçiqit, lideri i Kosovës “do të flasë për parimet e dialogut”, ndërsa ai i Serbisë “do të tregojë sesi nuk mund ta njohin Kosovën”.

Ky takim potencialisht mund të zhvillohet në qershor –muaj që e ka përmendur kreu i Ekzekutivit, Albin Kurti si dhe Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Do të konstatohet se pozitat e dy palëve janë më larg se deri tani. Kaq mund të pritet për fillim”, do të jetë epilogu i atij takimi, sipas Vllasit.

Azem Vllasi, njohës i politikave të Serbisë, thotë se nuk ka marrë asnjë ftesë nga Qeveria Kurti që të përfshihet në grupin negociues.

Kurti po pretendon se me ekipin që ka formuar për t’i dalë përpara Vuçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij – “dialogu do të jetë ndryshe”.

Ai në seancën e 17 majit teksa prezantonte planin qeverisës, thoshte se “ka trashëguar dëmet e dialogut nga pushtetet e kaluara”.

Sipas, Vllasit – Kurti dallon në pikën e bisedimeve me Serbinë, pasi vlerëson se në “dialog nuk është bërë asgjë” apo “gjithçka është bërë keq”

“Kjo nuk është qasje e mirë dhe vetit veçse po ia vështirëson pozitën në dialog me Serbinë e po hap front të brendshëm me opozitën lidhur me këtë çështje”, pohoi avokati.

Njohësi i çështjeve juridike, theksoi gjithashtu se “Kurti e ka obligim kushtetues dialogun”.

Por, përmendi edhe provokimet që po vinë në adresa të panjohura. Fjalën e ka për disa “non-papers”.

“Non-paper” që po shfaqin skenare të cilat përfshinë autonomi e eventualisht edhe ndryshime territoresh.

Një lëvizje “kompasi” në hartën e Ballkanit Perëndimor është cilësuar e rrezikshme nga plotë diplomatë evropianë duke përfshirë edhe përfaqësues të shteteve të apostrofuara si “autore të këtyre non-paper”; Gjermanisë e Francës.

Megjithatë, nga Berlini, Parisi si dhe nga i dërguari i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak – po insistojnë që dialogu “të fillojë shpejt”.

Por, “sa është shpejt” për Kurtin e Vuçiqin referuar refuzimit që Kurti i bëri takimit të thirrur për 11 maj për të cilin kishte thënë se “nuk e kanë marrë pëlqimin e tij” si dhe deklaratat e Vuçiqit se “me Kurtin takohet vetëm nëse nuk i del ndonjë punë tjetër”?!

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia e kanë parë përsëri njëra tjetrën në një darkë të organizuar nga Bashkimi Evropian për liderët e Ballkanit Perëndimor më 18 maj.

Nga aty, Kurti ka thënë se është i gatshëm për dialogun – për këtë tash veç e ka ftuar edhe opozitën për konsultim. /Insajderi.com