
“Ndërtimi i Qendrës për Sindromën Down dhe Autizëm pritet të përfundojë në nëntor të këtij viti”.
Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Qendrës për Sindromën Down dhe Autizëm, Sebahate Hajdini-Beqiri, e cila ka njoftuar se nga viti 2015 kanë filluar iniciativën për ndërtimin e kësaj qendre.
Ajo ka shtuar se numri më i madh i personave me Sindromën Down janë nga Prishtina.
“Ideja që kemi marr ne si shoqatë në vitin 2015 për ta filluar ndërtimin e një qendre që do të ofroj shërbime të dinjitetshme për personat me Sindromën Down duke pasur parasysh hapësirat që kemi vepruar ndër vite, duke filluar që nga viti 2007 si shoqatë nuk kanë qenë hapësira të mjaftueshme të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat. Duke pasur parasysh që ne trajtojmë edhe anëtarë me Sindromën Doën që nuk janë vetë të regjionit të Prishtinës, por edhe komunave të tjera”, ka thënë Hajdini-Beiqi.
Mes tjerash, drejtoresha e shoqatës Sindrom Down Kosova ka deklaruar se arritja deri te nisja e këtij procesi është përcjell me shumë sfida.
“Çdo gjë që bëhet jo vetëm në aspektin e qendrës por ta themi edhe realizimi i të drejtave të personave me Sindromën Down, të drejtat që çdo ditë vazhdojnë të shkelen. Ne çdo ditë kur nuk arrin realizimi i këtyre të drejtave është i vonuar, pasi fëmijët kanë nevojë për shërbim në kohë të caktuar. Mirëpo mbi të gjitha është një projekt i mirë që po ndodh, mirëpo tek vonesa ka qenë proces me mjaftë sfida prej sfidave të ndryshme dhe kjo është një ndër arsye pse ka zgjatur kaq shumë”, ka thënë ajo për EO.
Tutje, Hajdini-Beqiri ka treguar për sigurimin e burimeve financiare për ndërtimin e kësaj qendre.
“Historia e kësaj qendre ka filluar që nga viti 2015, si iniciativë e Down Sindrome Kosova ne i kemi ftuar edhe shoqatën e Autizmit që të na bashkohen në këtë projekt dhe e kemi organizuar mbrëmjen e bamirësisë e cila ka ndodh me 19 mars të vitit 2015 dhe pas përfundimit të mbrëmjes së bamirësisë ku ne kemi arritur edhe të mbledhim të holla nga qytetarë nga bizneset, nga institucionet e ndryshme që saktësisht i kemi transferuar 75 mijë euro të mbledhura nga ajo natë në llogarinë e organizatës qeveritare “Tika”, sepse ndërkohë qysh në vitin 2015 menaxhmenti i komunës ka shprehur gatishmëri që të mbështet projektin tonë dhe kemi qenë partner të përbashkët ta them, ndërkohë këtë projekt ka vendosur ta mbështesë edhe organizata qeveritare “Tika”. 250 mijë euro janë nga komuna e Prishtinës, 75 mijë euro nga Down Sindrom Kosova, si dhe 75 mijë nga shoqata e Autizmit”, ka përfunduar ajo./Insajderi.com