Këto janë 3 këngët më të klikuara të “Këngës Magjike” 2019

Këto janë 3 këngët më të klikuara të “Këngës Magjike” 2019

Këtë vit, në Festivalin “Kënga Magjike” janë rikthyer si pjesëmarrës artiste si Besa Kokëdhima dhe Eneda Tarifa, që mungonin prej vitesh, janë pranuar artistë ndërkombëtarë, konkurrojnë emra të njohur si Marsela Çibukaj, Lind Islami e Kastro Zizo, por vëmendja e publikut është tjetërkund. Tre artistë relativisht të rinj janë më të klikuarit e këtij edicioni të festivalit.

Duke nisur me Marjona Metohun, që mban vendin e parë me mbi 800 mijë klikime në këngën e saj “Bosh.” Balada e ndjerë na rikujton “Akull” të Krusitës dhe “S’jemi ne” të Kanitës, por s’është tamam si asnjëra. Teksti i “Bosh” u realizua nga Filloreta Raçi. Muzika nga Kledi Bahiti dhe produksioni nga Three Dots. Marjona ka marrë pjesë në “Gjeniun e Vogël” dhe “The Voice of Albania,” ka publikuar një grusht me këngë, nga të cilat më e famshmja është pa dyshim “Bosh.”

Në vend të dytë është Ardit Çuni me “Frymë” që ndoqi të njëjtën linjë si vjet (“Qaj”) dhe u rikthye në festival me një tjetër këngë që të bën të qash. “Frymë” u shkruajt ng vetë Çuni bashkë me Filloreta Raçin. Për vijën melodike dhe muzikën, Çuni bashkëpunoi me Marsle Gungën. Performanca e tij në skenën e “E diela shqiptare” dallon nga të tjerat sepse gjatë gjithë kohës, bie shi. Çuni ka një karrierë të paktën shtatë vjeçare në muzikë dhe ka marrë pjesë në “X Factor,” “Top Fest” etj.

Në vend të tretë është Olsi Bylyku me “Ma kthe,” që shënjon herën e dytë si pjesëmarrës në “Këngën magjike.” Aktori dhe këngëtari bashkëpunoi me të dashurën, Egli Takon dhe Alban Kondin për të realizuar tekstin. Muzika është punë e Alban Kondit dhe Elgit Dodës. Ky i fundit ka realizuar edhe orkestrimin. Kjo është kënga e dytë që Olsi këndon vetëm, pa dikë në krah.