KFOR: Jemi këtu që 21 vjet për të përballuar sfidat bashkë, do të ballafaqohemi edhe me pandeminë

KFOR: Jemi këtu që 21 vjet për të përballuar sfidat bashkë, do të ballafaqohemi edhe me pandeminë

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Michele Risi, ka thënë se kjo organizatë tash e 21 vjet është në Kosovë për të përballuar të gjitha sfidat së bashku, njofton Insajderi.

Në vizitën e realizuar në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Risi tha se pas kërkesës ndaj vendeve anëtare për të ndihmuar në tejkalimin e pandemisë, shteti Italian ka dërguar ekipin mjekësor.

“KFOR-i ka qenë këtu që 21 vjet për të përballuar të gjitha sfidat bashkë, më e fundit pandemia COVID-19. Shumë prej sfidave nuk kanë qenë pjesë të sfidave me të cilat zakonisht KFOR-i përballet. I keni kërkuar vendeve anëtare që të dërgojnë ndihmën e tyre dhe kësaj kërkese i është përgjigjur shteti italian duke dërguar ekipin mjekësor. Mbi të gjitha, është një shtyrje që NATO dhe të gjitha shtetet anëtare që të vijnë këtu dhe të ndihmojnë Kosovën që të ballafaqohet me pandeminë”, ka thënë Risi.

Ndërsa, ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, ka deklaruar se prezenca e ekipit mjekësor italian është një shembull i bashkëpunimit mes Italisë dhe Kosovës.

“Misioni i mjekëve italianë këtu është misioni më i madh jashtë Italisë sa i përket pandemisë së koronavirusit – mision i cili po bëhet pikërisht në Kosovë. Për neve është nder dhe kënaqësi që të bashkëpunojmë me institucionet kosovare, po ashtu edhe me stafin shëndetësor dhe popullatën”.

“Situata është përmirësuar, por ka rrezik për valë të dytë. Masat që ka ndërmarrë qeveria kanë dhënë rezultatet e tyre, mirëpo ju këshillojmë që të jeni të kujdesshëm dhe t’iu përmbaheni rregullave bazike – të lani duart, të mbani distancën fizike dhe të mbani maskat”, ka thënë ai.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti, pas takimit me komandant Risin dhe ambasadorin italian Orlando, në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ka falënderuar ekipin e mjekëve italianë që kishin ardhur në Kosovë për të ndihmuar me menaxhimin e pandemisë. /Insajderi.com