
Dislokimi i ardhshëm i trupave amerikane është një procedurë rutinore e dorëzim-pranimit ndërmjet dy kontingjenteve të rotacionit së SHBA-ve dhe jo kontribut shtesë i SHBA-ve, ka njoftuar KFOR-i përmes një komunikate për shtyp.
Sipas komunikatës së KFOR-it, ka pasur raportime në mediat serbe dhe atyre shqiptare në Kosovë se SHBA planifikon të dërgojë 130 ushtarë shtesë në kuadër në të KFOR-it në mbështetje të përpjekjeve të NATO-s për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
“Dislokimi i ardhshëm i trupave amerikane është një procedurë rutinore e dorëzim-pranimit ndërmjet dy kontingjenteve të rotacionit së SHBA-ve dhe jo kontribut shtesë i SHBA-ve”, thuhet në komunikatë, raporton rtklive.com.
Tutuje në komunikatë sqarohet se KFOR-i vazhdon aktivitetet për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit te Sigurimit të OKB-së.
“Çdo vendim për qëndrimin dhe strukturën e forcave të KFOR-it merret nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, bazuar në kushtet e sigurisë në terren”, thuhet në komunikatë.