KGJK nis sot verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë

KGJK nis sot verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës do t’i verifikojë listat e partive politike që mund të kenë kandidatë me dënime të formës së prerë në tri vitet e fundit, nga sot deri më 20 janar, njofton Insajderi.

Pas këtij verifikimi Komisioni Qendror Zgjedhor duhet t’ua refuzojë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit, personave që kanë kandiduar për deputetë dhe kanë dënime të plotfuqishme sipas KGJK-së.

Në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë përfshirë disa persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.

Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje janë të dënuar me kusht që nga shtatori i 2018-s për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në seancë të Kuvendit.

Milan Aritonoviq nga Lista Serbe është i dënuar me 500 euro gjobë nga gjykata për raportim të rremë të pasurisë, si dhe kandidati i Nismës, Besnik Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në mars të 2018-s. /Insajderi.com