Kinezët planifikojne investime në miniera në Serbi, Kosova vazhdon të jetë vendi me rrezikun më të lartë për investitorët e huaj

Kinezët planifikojne investime në miniera në Serbi, Kosova vazhdon të jetë vendi me rrezikun më të lartë për investitorët e huaj

Pas fillimit të ndërtimit të termocentraleve të reja dhe projekteve tjera infrastrukturore në Serbi, investitorët Kinezë tani kanë shprehur interesimin për privatizimin e minierave të thëngjillit në Rasavicë, tha drejtori i këtyre minierave.

‘Investitorët kinez kanë biseduar me qeverinë si dhe kanë vizituar lokacionet që ne menaxhojmë’, tha drejtori Marko Vukovic në një video të publikuar nga RTS të Martën që po lëmë pas, raporton Seenews. Zgjerimi i këtyre minierave do të ndihmojë furnizimin e rregullt me qymyr për termocentralet ekzistuese në Serbi si dhe termocentralet tjera të planifikuara dhe që kanë filluar së ndërtuari në këtë vend.

Ndryshe, me fonde të Bankës për Eksporte të Çekisë, vend ky anëtar i Bashkimit Evropian, Serbia në vitin 2015 ka hapur vendet e reja të depozitimit të qymyrit në Cirikovac dhe Stavalj. Depot e depozitimit të qymyrit në Stavalj do të funksionalizohen në fund të këtij viti, sipas Vukovic.

Serbia tani më ka paralajmëruar planet për ndërtimin e termocentraleve me kapacitet prej 2500 megavatësh me ndihmën e fondeve shtetërore të Kinës dhe Rusisë.

Mediat ndërkombëtare kanë shprehur se përmes këtyre termocentraleve, Serbia mëton të ketë pozitën e superfuqisë elektrike në Ballkan si dhe të shndërrohet në vend eksportues të energjisë elektrike, tani që eksportimi i saj në Bashkimin Evropian është lehtësuar me linjën e re direkte nënujore të transmisionit në mes të Malit të Zi dhe Italisë, raporton Seenews.

Tregjet për eksport të energjisë elektrike janë në rritje, krahas rritjes së kërkesës për energji elektrike. Vetëm Kosova, ani pse vendi i dytë në Evropë për nga rezervat e thëngjillit, ka importuar mbi gjysmë miliardi euro rrymë gjatë dekadës së fundit.

Përvec Serbisë, edhe Bosna dhe Hercegovina ka paralajmëruar plane gjigante në fushën e prodhimit të energjisë nga qymyri, me rreth 2450 megavat të planifikuara. Edhe kjo, sikurse Serbia, termocentralet po i ndërton me fonde shtetërore të Kinës dhe Rusisë.

Pak kohë më parë, Serbia është renditur e parë në botë për Investimet e Huaja “Greenfield”, sipas FDi Intelligence, pjesë e Financial Times.

Menjëherë pas Serbisë është renditur Mali i Zi për investime te reja, me potencial për më shumë vende pune.

Në anën tjetër, Kosova vazhdon të vlerësohet vend me rrezik të lartë të investimit. Coface, agjencia Franceze e vlerësimit të riskut, e ka vlerësuar Kosovën me notën më të dobët ‘E’ në lidhje me riskun e investimit. Ky notim nënkupton nivelin më esktrem të riskut, raporton Insajderi.

Bashkë me Kosovën në të njejtën kategori janë listuar edhe 14 shtete tjera sikurse Irani, Iraki, Siria, Afganistani, Libia, Sudani, Zimbabve, Jemeni, Kuba etj.